Pamje të tilla nuk janë të zakonshme në termocentralin A në Komunën e Obiliqit.
Përpos një sipërfaqeje të mbuluar me tym të zi, në ajër u përhap kundërmim i rëndë djegieje që ashtu qëndroi për disa orë.
Një pamje e tillë tregoi se termocentrali A rifilloi punën por jo edhe se çka e shkaktoi këtë situatë, e pas shumw reagimeve KEK-u doli me njw njoftim.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se sot, më 23.06.2025, njësia A5 e Termocentralit Kosova A është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit, duke shënuar një rikthim të suksesshëm në operim, pas realizimit të një sërë ndërhyrjesh dhe sanimesh teknike të domosdoshme.
Ky rikthim në operim konfirmon edhe një herë kapacitetin dhe gatishmërinë e ekipeve tona teknike, të cilat, me përkushtim profesional dhe koordinim të vazhdueshëm, siguruan një proces të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të rikthimit të njësisë A5.
Gjatë kësaj faze fillestare, për shkak të natyrës teknologjike të djegies – që fillimisht bëhet me naftë, e më pas, kur arrihet temperatura e nevojshme, me linjit – mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet. Kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit. – Korporata Energjetike e Kosovës
Për profesorë të energjetikës, veprime të tilla nga ana e KEK-ut, nënkuptojnë rritje të shpenzimeve.
”Rënia e paplanifikuar e blloqeve të Kosovës A dhe B shkakton një shok në sektorin energjetik në Kosovë, duke e rritur koston e furnizimit për shkak se ndërprerjet janë të paplanifikuara dhe në këtë formë kompanitë përgjegjëse për furnizimin me energji duhet të dalin në tregje dhe të sigurojnë furnizim stabil. Kjo rrit koston e furnizimit dhe përgjegjësinë. Në anën tjetër, kjo sjell edhe kosto shtesë siç është startimi i punës me blloqe, sepse çdo start i ftohtë ka shpenzime shtesë”, ka thënë Adhurim Haxhimusa, ekspert i energjetikës.
Gjatë fundjavës, nuk punoi edhe njësia B1 si shkak i rrjedhjeve në kaldajë e që punën e rifilluan të dielën.