Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se janë duke vijuar operacionet e policisë për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri.
Në një ndërhyrje të fundit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë finalizoi operacionin e koduar “Barriera”, duke sekuestruar 12 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në zonën e Freskut, njofton Dukagjini.
“Pas disa javë hetime me metoda proaktive, specialistët për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizuan operacionin e koduar ‘Barriera’,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 27 vjeç, nga Kosova.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, tip “Volkswagen”, pranë mbikalimit të Tufinës, nën kofanon e makinës u gjetën 10 pistoleta Glock me municion luftarak, ndërsa dy të tjera u sekuestruan më vonë, duke e çuar numrin total në 12.
“Nga hetimet ka rezultuar se 27-vjeçari kishte planifikuar t’i shiste armët në zonën e Freskut,” thekson njoftimi i Policisë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vazhdojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik armësh.