Shkuarja e FSK-së në veri nxit reagime të ndryshme

Angazhimi i FSK-së në misionin e kërkim-shpëtimit në liqenin e Ujmanit po vlerësohet në mënyra të ndryshme edhe nga njohës të çështjeve ushtarake dhe sigurisë. Kolonelë ushtarak në pension e shohin atë si një sinjal të përmirësimit të marrëdhënieve me ndërkombëtarët, kurse në anën tjetër ekspertët e sigurisë thonë se ky angazhim është normal.

Shkuarja në veri e Forcës së Sigurisë së Kosovës me qëllim gjetjen e trupit të mërgimtarit të rënë në Liqenin e Ujmanit ka nxitur reagime të shumta.

Pak pas mbërritjes së trupave të FSK-së në vendin e ngjarjes, Lëvizja Vetëvendosje tha se ky është rasti i parë që FSK-ja shkon si ushtri në veri.

Por, ky njoftim nxiti reagimin e deputetes të PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo tha se Vetëvendosja po bën propagandë politike, pasi tha se FSK-ja nuk ka shkuar në veri për të luftuar.

“Jeni të neveritshëm. A keni fije përgjegjësie? A keni fare ndjeshmërie njerëzore? Si mund të abuzoni me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike? FSK nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një djali që humbi jetën tragjikisht. Ashtu siç ka vepruar edhe më parë, me dinjitet dhe pa zhurmë”, ka thënë Çitaku.

Çitakut më pas iu kundërpërgjigj deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba.

“FSK falë qeverisë Kurti nuk po ka nevojë dhe me luftu në veri se bandat i ka çmontu Policia. Për dallim prej juve që deshtët me e nda, Kosova tash ka sovranitet të plotë në veri”, ka thënë Zyba.

Kritika ndaj partisë së Zybës ka adresuar edhe deputeti i LDK-së, Fadil Hadërgjonaj.

 “Angazhimi i këtyre kapaciteteve sipas procedurave në fuqi, është në harmoni të plotë me mandatin që ka FSK. Është për keq’ardhje tragjedia e familjes së të riut, të shfrytëzohet kaq ulët nga politika ditore”, ka thënë Hadërgjonaj.

Ndërsa, zëdhënësi i Vetëvendosjes Arlind Manxhuka deklaroi se shkuarja e FSK-së në veri si ushtri duhet të shënohet si ngjarje historike.

E, ky angazhim i FSK-së në veri vlerësohet në forma të ndryshme edhe nga njohës të çështjeve ushtarake.

Ish-koloneli i FSK-së Hysen Gecaj se sheh këtë veprim si sinjal i rregullimit të raporteve mes institucioneve të Kosovës me ndërkombëtarët.

“Është i mirëpritur ky angazhim kësaj radhe i FSK-së në veri, është edhe një sinjal i relaksimit të raporteve që kohëve të fundit nuk është se kanë qenë shumë të mira mes të institucioneve të Kosovës dhe NATO-s dhe të bashkësisë ndërkombëtare jo me fajin e FSK-së gjithsesi sepse FSK-ja është një institucion që i përgjigjet dhe jep llogari institucioneve civile të kosovës por kemi pas mosmarrëveshje politike”, ka thënë Gecaj.

Por, vlerësim tjetër ka njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami. Ai thotë se veprimi është i mirë, por sipas tij, jo diçka e jashtëzakonshme.

“Pra veprimi i FSK-së në veri të vendit nuk përbën diçka të jashtëzakonshme sepse misioni i saj është që të kontribuojë në gjithë territorin e Kosovës, edhe në katër komunat veriore sepse edhe ato janë pjesë e sovranitetit, një marrëveshje që është nënshkruar më herët për veprimin dhe koordinimin do duhej të bëhej me anë të KFOR-it”, ka thënë Islami.

Bazuar në zotimin e vitit 2013 të Qeverisë së Kosovës, ndaj NATO-s, dërgimi i trupave të FSK-së në veri të vendit mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it.

Shija e redaktorit

Muajt vendimtar, mbrojtja e ish krerëve të UÇK-së nis me...

Nga sot e deri në gusht Dhomat e Specializuara për Kosovën, do jenë në pushim veror. Por ndonëse kthimin në punë, të njëjtit do e...

Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në...

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të...

Osmani kërkon interpretim nga Kushtetuesja për moskonstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar sqarim juridik lidhur me situatën pas përfundimit të afatit kushtetues...

Të fundit nga rubrika