
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi ka deklaruar se është Gjykata Kushtetuese e cila ka shkelur vet Kushtetutën.
Kështu ka shkruar Selimi në një postim në Facebook duke hedhur dyshime mbi vendimin që morri Kushtetuesja këtë të premte mbi moskonstitutimin e Kuvendit të Kosovës dhe hapat që duhet marrë tani e tutje.
“Prej nga shpiku Gjykata Kushtetuese këtë për tri tentime? Pse jo katër? Pse jo dy? Pse jo vetëm një?
Ky është rishkrim i kushtetutës. Pra, Gjykata Kushtetuese e ka shkelur kushtetutën.”, ka shkruar Selimi.
Përfaqësuesi i grupit më të madh parlamentar të propozojë kandidatin i cili do zgjedhet përmes votimit të hapur, votim i cili mund të realizohet vetëm deri në tri herë për kandidatin e njëjtë.
Ky është vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës për 54 tentativa.
“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;”, thuhet në vendim.
Mes të tjerash, Kushtetuesja ka deklaruar se Kryesuesi, Avni Dehari ka shkelur Kushtetutën.