Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka njoftuar se situata me zjarret është përmirësuar ndjeshëm gjatë 12 orëve të fundit, falë reagimit të shpejtë të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, mbështetjes nga Agjencia dhe reshjeve të shiut.
Sipas njoftimit të publikuar, aktualisht është aktiv vetëm një zjarr në fshatin Trudë të Komunës së Prishtinës, ku ekipet zjarrfikëse janë në terren dhe po punojnë për lokalizimin e plotë të zjarrit.
Agjencia ka apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke kërkuar që të shmangen çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si dhe të raportohen menjëherë tek autoritetet çdo vatër e dyshimtë.
Në fund, Agjencia ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e zjarrfikësve, për mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it, si dhe për bashkëpunimin e qytetarëve në përballimin e situatës.