Pas sulmit amerikan ndaj tri objekteve bërthamore iraniane, Instituti për Studimin e Kërcënimeve Hibride “Octopus” ka shprehur mbështetjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj perëndimorë, në përpjekje për ruajtjen e sigurisë globale, me theks të veçantë në parandalimin e përshkallëzimit bërthamor.
Përmes një shkrimi në platformën “X” (ish-Twitter), ky institut, teksa shpreh shqetësimin për ambiciet e regjimeve autoritare si Irani, e vendos fokusin edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Fokusi ynë mbetet në Ballkan. Analizat tona kanë treguar vazhdimisht se agjendat destabilizuese, të ndjekura nga regjimet me objektiva ekspansioniste ose revizioniste – shpesh përmes operacioneve hibride dhe ndërhyrjeve rajonale – kanë shkaktuar tashmë dëm në arkitekturën e sigurisë së Evropës Juglindore.
Për Kosovën, sigurimi i sigurisë kombëtare do të thotë të qëndrosh vigjilent ndaj këtyre dinamikave më të gjera, pasi stabiliteti rajonal nuk mund të ndahet nga zhvillimet globale të sigurisë,” – thuhet në reagim.
Instituti “Octopus” thekson gjithashtu mbështetjen për të gjitha përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare që synojnë të pengojnë agresionin nga regjimet autoritare dhe të forcojnë vlerat e lirisë, partneritetit demokratik dhe stabilitetit global.