Sulmi terrorist në Banjskë, Fetoshi shpjegon propagandën e frikshme të Serbisë për veriun e Kosovës

Serbia edhe pas dy vjetësh vazhdon të mos jetë e ndëshkuar për sulmin terrorist që kanë kryer në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator të 2023-ës e ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, raporton Ekonomia Online.

Qëllimet të Serbisë ndaj Kosovës, veçse dihen. Ajo asnjëherë nuk arriti ta pranojë që Kosova është shtet i pavarur e sovran. Megjithëkëtë, Serbia në krye me Aleksandër Vuçiqin vlerësohet të ketë pretenduar se përmes këtij sulmi të krijojë një realitet të ri në veri të Republikës së Kosovës.

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, në një intervistë për Ekonomia Online, shpjegon planin ogurzi të Serbisë me këtë sulm të tmerrshëm që kreu grupi terrorist në krye me kryekriminelin Millan Radojçiqin. Ai ka theksuar edhe ndërhyrjen që kanë bërë institucionet e sigurisë për ta mbrojtur territorin e Kosovës, mbi të cilin Serbia asnjëherë nuk ndali apetitet e saj për të.

“Qëllimi kryesor i sulmit terrorist në krye me Milan Radoiçiq ka qenë imponimi i një situate të re në pjesën veriore të vendit i cili sipas kalkulimit të Serbisë do të dërgonte në suspendimin e institucioneve të Kosovës nga ajo pjesë me qëllim që më pas të krijohej një realitet që do ta shfrytëzonte Serbia në kuadër të politikës së saj ekspansioniste kundrejt Kosovës. Pra qëllimi që duke provokuar një konflikt të zgjeruar në pjesën veriore të imponohej një realitet i cili do ta rikthente në mes mandatit të KFOR-it në rezolutën 1244 me qëllim që në të ardhmen Serbia ta kalkulonte si një fushë beteje kundër rendit kushtetues, kundër Kosovës dhe në kuadër të apetiteve të saj territoriale për Kosovën. Kjo nuk ndodhi, falë efikasitetit të institucioneve tona të sigurisë, në veçanti, Policisë së Kosovës, ndonëse tani kemi një hero që është viktimë e këtij inkursioni në pjesën veriore por në anën tjetër kemi pasur reagim të koordinuar të policisë me aleatët ndërkombëtarë”, tha Fetoshi.

Pas këtij sulmi, Fetoshi nënvizon se Serbia nisi edhe kërcënimet hibride.

“Serbia është munduar që të ndryshojë qasjen dhe metodën për të vazhduar njëjtë me kërcënimet hibride kundër Kosovës të cilat tash më përqendroheshin te fushata e dezinformimit, të metoda dhe taktikat e ndryshme të manipulimit me qëllim që të imponohej ose të krijohej një realitet i shtrembëruar në qendrat e vendosjes ndërkombëtare duke u munduar që ta fajësojë Kosovën me atë që sot njihet si narrativa e diskriminimit dhe terrorizmit ndaj qytetarëve serbë në veri. Por paraprakisht kemi pasur edhe narrativat e tjera strategjike siç ka qenë ajo e ngacmimit të vajzave dhe grave serbe nga ana e Policisë së Kosovës dhe që ka pasur për qëllim demonizimin e Policisë së Kosovës në mënyrë që nga këndvështrimi ndërkombëtar Kosova të shihej si palë destruktive dhe si institucione të cilat viheshin në pikëpyetje në kuptim të integritetit dhe veprimit institucional kundër krimit të organizuar dhe strukturave ilegale të Serbisë në pjesën veriore të vendit”, tha ai.

Sipas tij, Serbia ka ndryshuar strategjinë duke përdorur metoda më të sofistikuara për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Pasojat kanë qenë evidente në kuptimin që kemi pasur të bëjmë me një strategji të ndryshuar, të sofistikuar të Serbisë për me prioritetizu fushatat shpifëse kundër institucioneve të Kosovës për me ndërmarrë veprime të cilat nënkuptojnë edhe aktivizmin e rrjetit të spiunazhit me qëllim që të realizoheshin objektivat strategjike të Serbisë kundër Kosovës dhe për demonizimin e institucioneve të Kosovës nëpërmjet narrativave false”, ka thënë Fetoshi.

Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës kanë pasur mundësi që këtë momentum ta shfrytëzonin më shumë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, por një pjesë e fajit lidhet edhe me qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë.

“Mendoj që nuk është shfrytëzuar sa duhet në mënyrë strategjike në favor të Kosovës, jam i bindur që ka mund të shfrytëzohet edhe më mirë me një koordinim më të madh me aleatët ndërkombëtarë, por duhet të kemi parasysh në këtë kontekst edhe qasjen nga ana e Bashkësisë ndërkombëtare në raport me Serbinë e cila nuk ka qenë e gatshme dhe vazhdon edhe më tutje të mos jetë e gatshme që ta shënojë fajtorin për ndërmarrje të tillë terroriste kundrejt Kosovës që është Beogradi zyrtar për shkak të asaj që njihet si stabilokraci. Pra duke e parë një qasje të Perëndimit që ta ledhatojë Vuçiqin dhe Serbinë me qëllim që ta tërheqë nga orbita e influencës ruse dhe kineze duket që ka pasur një tolerancë më shumë seç duhet ndaj veprimeve të tilla që janë sponsorizuar prej Serbisë kundër Kosovës”, tha ai.

Fetoshi ka theksuar se Kosova ka dëshmuar vendosmëri dhe efikasitet në veri, duke i dhënë fund sundimit të grupeve kriminale, ndërsa Beogradi është demantuar në narrativat e tij për diskriminimin e serbëve.

“Ajo që konfirmohet besoj për çdo ditë ka të bëjë me faktin që institucionet tona të sigurisë dhe policia e vendit ka demonstruar efikasitet, kapacitet profesional dhe qasje të vendosur kundër krimit të organizuar dhe bandave kriminale në pjesën veriore të vendit. Mendoj që ka qenë koha e fundit kur Kosova duhej të jepte fund sundimit të Radoiçiqit dhe radoiçiqëve në një pjesë të rëndësishme të territorit të Kosovës. Për të shtrirë sundimin e ligjit në pjesën veriore të vendit pas një periudhe të gjatë të sundimit të bandave kriminale atje. Kjo duhet të shihet edhe si një ndryshim pozitiv i gjendjes sa i përket qytetarëve serbë në pjesën veriore të vendit të cilët për fat të keq vazhdojnë të instrumentalizohen nga ana e Beogradit zyrtar, pra vazhdojnë të përdoren si armë hibride e Serbisë kundër Kosovës, mirëpo unë besoj që tash kemi të bëjmë me një realitet të ri, në terren dhe besoj që Beogradi është demantuar në të gjitha narrativat e veta sa i përket përpjekjeve që ta paraqes gjendjen si diskriminim të qytetarëve serbë në veri. T’i demonizojë institucionet e Kosovës dhe ta argumentojë në thonjëza siç kanë pretenduar ata që regjimi në Prishtinë është terrorist kundrejt të drejtave të qytetarëve serbë në vendin tonë. Mendoj që kemi të bëjmë me një demantim të plotë nga ana e organizatave dhe institucioneve kredibile ndërkombëtare”, tha Fetoshi.

Për sulmin terrorist serb Prokuroria Speciale me 11 shtator të 2024-ës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq.

Më 9 qershor 2025 në Gjykatën Themelore të Prishtinës deklaruan dy policë të Kosovës, Alban Rashiti kishte mbetur i plagosur kur policia ishte përball me sulm nga grupi i serbë të armatosur dhe Çlirim Shaqiri, i cili ishte polici tjetër i dëmtuar nga ky sulm. Më pas kanë dëshmuar edhe dy të lënduarit e tjerë Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Megjithëkëtë, Radojçiq me bashkëpunëtorët e krimit vazhdojnë të mbetën të lirë në rrugët e Serbisë

Shija e redaktorit

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Të fundit nga rubrika