Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, ka deklaruar se përgatitjet për protestën gjithëkombëtare që do të mbahet të premten në Tiranë janë drejt përfundimit, ndërsa interesimi për pjesëmarrje është i madh.
“Ne jemi në vazhdën e përgatitjeve për protestën gjithëkombëtare që do të mbahet në Tiranë. Kanë konfirmuar pjesëmarrje nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan dhe nga diaspora anekënd botës. Pritjet tona janë që do të jetë një protestë madhështore”, tha Sopi në emisionin FIVE.
Ai bëri të ditur se në protestë do të marrin pjesë edhe figura të njohura nga politika dhe shoqëria civile, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova.
“Kemi konfirmime se do të marrin pjesë struktura të larta shtetërore të shtetit shqiptar, ish-deputetë e deputetë të tanishëm, si dhe figura të rëndësishme të politikës dhe shoqërisë civile në Shqipëri por edhe nga Kosova”, shtoi ai.
Sipas Sopit, për protestën janë organizuar udhëtime nga të gjitha komunat e Kosovës, me dhjetëra autobusë dhe automjete private që do të nisen drejt Tiranës.
“Do të ketë udhëtime edhe me autobusë, një pjesë e qytetarëve do të udhëtojnë me vetura. E kemi marrë vendim që të gjitha degët nga komunat të nisen drejtpërdrejt për Tiranë, që të mos krijohet trafik në komunikacion. Rreth 70 autobusë do të nisen për Tiranë,” deklaroi Sopi.