Hetuesja në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit, Neveka Tromp, ka kritikuar zvarritjen e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
Tromp, në protestën kundër Gjykatës Speciale, ka thënë se të akuzuarit mbështetën krijimin e Speciales sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri.
“Ata që sot po akuzohen ishin vetë ata që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara, sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri,” u shpreh Tromp.
Ajo theksoi se ligjet që rregullojnë luftën janë krijuar për të mbrojtur çlirimtarët, e jo për t’i ndëshkuar ata.
“Gjykata duhet të veprojë në mënyrë profesionale. Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, ajo rrezikon të kthehet në padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë për të zbuluar të vërtetën, por janë gjykime të inskenuara.
Ja ku jemi, pesë vjet më vonë, dhe ata ende ndodhen në paraburgim, pa një gjykim të drejtë. Besimi i tyre në drejtësinë e shpejtë është thyer. Por mos harroni – udhëheqësit që sot po akuzohen, janë ata që mbështetën krijimin e këtyre dhomave. E bënë këtë duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun.
Pse? Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre. Besuan se lufta ishte e drejtë, një luftë e lejuar. Ata luftuan dhe fituan. Shkuan në Hagë sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri – besonin në sundimin e ligjit dhe në aftësinë e gjykatës.
Ata besuan se ligjet që rregullojnë luftën janë krijuar për të mbrojtur çlirimtarët e lirisë, dhe jo për t’i ndëshkuar”, ka thënë ajo.