Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përmendur edhe një herë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, duke treguar se kishte përdorur presionin ekonomik për të ndalur një përplasje të mundshme.
Gjatë një konference për shtyp të premten, Trump tha se situata në Ballkan kishte arritur një pikë shumë të rrezikshme, dhe se roli i tij kishte qenë vendimtar për të ruajtur paqen.
“Serbia dhe Kosova ishin gati të përplaseshin. Po shkonin drejt një lufte të madhe. U thashë: Nëse përplaseni, nuk ka më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë: ‘Ndoshta nuk do të përplasemi’,” deklaroi Trump.
Ai e krahasoi këtë përvojë edhe me tensionet mes dy fuqive bërthamore në Azi.
“Ashtu ndodhi edhe me Indinë dhe Pakistanin që po shkonin drejt një konflikti bërthamor. Po negocioja me të dyja palët dhe u thashë ndihmësve të mi: Anuloni të gjitha marrëveshjet tregtare me Indinë dhe Pakistanin. Ata më telefonuan: ‘Çfarë të bëjmë?’ U thashë: Nëse doni tregti me SHBA-në, shumë mirë. Nëse doni të përdorni armë bërthamore, atëherë jo. Dhe të dyja palët ranë dakord,” shtoi ai.
Sipas tij, këto lëvizje diplomatike shpesh nuk janë vlerësuar sa duhet nga opinioni publik. Trump tha se shumë presidentë nuk kanë bërë përpjekje të ngjashme.
Në vijim, ai foli edhe për një bisedë telefonike që kishte zhvilluar me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me krizën iraniane.
“Putin më telefonoi dhe tha: ‘Do të doja shumë të të ndihmoja me Iranin’. I thashë: ‘Më bëj një nder. Iranin do ta zgjidh unë. Më ndihmo me Rusinë. Duhet ta zgjidhim këtë çështje. Dhe besoj se do të ketë lëvizje’,” ka përfunduar Trump. Në muajt e fundit, ai ka përsëritur disa herë se Marrëveshja e Washingtonit, e firmosur në shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, ka qenë faktor kyç në ndalimin e përshkallëzimit të krizës mes Kosovës dhe Serbisë.