UNMIK ka reaguar për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia në veri të Kosovës, duke shprehur shqetësim dhe bëri thirrje që të gjitha çështjet e pazgjidhura të adresohen në mënyrë konstruktive përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“UNMIK është i shqetësuar për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia në veri të Kosovës, duke përfshirë Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore dhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Republikës. Për më tepër, shumë në komunitetet jo-shumicë, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës, vazhdojnë të përballen me sfida në marrjen e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe lejeve të vlefshme të qëndrimit, të cilat mund të pengojnë aftësinë e tyre për të regjistruar automjetet e tyre dhe për të marrë targa”, thuhet në reagim.
Sipas UNMIK-ut, veprime të tilla, të kryera pa konsultim ose njoftim paraprak për komunitetet e prekura, ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme dhe të drejtat socio-ekonomike, pengojnë integrimin e tyre dhe kufizojnë qasjen në kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera thelbësore.
“UNMIK përsërit thirrjen që të gjitha çështjet e pazgjidhura të adresohen në mënyrë konstruktive përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në fund. /BetimipërDrejtësi