UP i ndan titullin “Doktor Nderi” ish-kryetarit të GJND-së nga Japonia, Hisashi Owada

Universiteti i Prishtinës i ka ndarë titullin “Doktor Nderi” (Doctor Honoris Causa) profesorit nga Japonia Hisashi Owada në një ceremoni në Fakultetin e Edukimit të UP-së, më 18.06.2025.

Profesor Owada është njëri nga juristët më të njohur në botë i së drejtës ndërkombëtare.

Ai ka qenë Kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur kjo Gjykatë lëshoi Opinionin se akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008, nuk i ka shkelur Ligjet ndërkombëtare.

Rektori i UP-së Arben Hajrullahu gjatë ceremonisë së ndarjes së këtij titulli ka deklaruar se po shënojnë një moment krenarie në UP dhe për të gjithë komunitetin akademik.

“Jemi mbledhur këtu që të ndajmë titullin më prestigjioz që ka Universiteti i Prishtinës, për Hisashi Owada, një studues me të arritura globale. Profesor Hisashi Owada nuk është vetëm profesor i shquar, por qytetar i vërtetë i botës. Hisashi Owada na dëshmon se parimet dhe siguria ligjore nuk janë ideale abstrakte, por udhërrëfyese.” – tha rektori Hajrullahu.

Ai ka vlerësuar se është nder i jashtëzakonshëm për të si Rektor i UP-së që të mirëpresë një figurë të shquar të së drejtës ndërkombëtare, si Owada.

“Më lejoni të konkludoj se Kosova dhe Japonia ndajnë një admirim dhe respekt të thellë… Profesor Hisashi Owada, duke pranuar këtë titull nderi, ju jeni bërë pjesë e përhershme e trashëgimisë tonë akademike. Ndikimi juaj në drejtësi, diplomaci do të zgjasë për breza. Ju falenderojmë për kontributin dhe integritetin tuaj.” – shtoi Hajrullahu.

Kurse, profesori 92-vjeçar, Owada pasi mori titullin “Doktor Nderi” nga rektori Hajrullahu tha se është nder i madh dhe kënaqësi që të nderohet me këtë Titull nga Universiteti i Prishtinës.

Owada mbajti edhe një ligjëratë për të pranishmit, duke trajtuar këndvështrimet e fizikanit Albert Einstein dhe psikoanalistit Sigmund Freud: se pse ka luftë në botë dhe pse njerëzit marrin pjesë në luftëra.

“Për dikë që nuk e njeh botën e Ajshtajnit, edhe atë ndjenjën e nacionalizimit si unë do të dukej shumë e lehtë për ta zgjidhur problemin e luftës në të gjitha vendet. Me gjithë përpjekjet nga njerëz dhe shtete të ndryshme nuk është arritur ndonjë paqe e qëndrueshme. Problemi kryesor është në mendje të qenieve njerëzore. Forca që pengojnë përpjekjet për paqen, për këto luftëra, është dëshira për pushtet.” – tha Owada.

Para se t’i ndahej titulli “Doktor Nderi” Owadas, Avni Puka, Dekan në Fakultetin Juridik të UP-së, teksa përmendi përvojat e Owadas në fushën e Drejtësisë tha se karriera e tij është e gjatë.

Puka tha se Owada kishte diplomuar në Universitetin e Tokios më 1955 dhe kishte qenë për shumë vite profesor i Së Drejtës në Universitetin e Tokios.

“Profesor Owada shërbeu me shumë dallim si diplomat dhe praktikoi të drejtën ndërkombëtare. Ai simbolizon vlerat universale të drejtësisë, paqes dhe sundimit të ligjit.” – tha Puka.

Sipas Pukës Owada nga viti 2003 deri në vitin 2018 kishte shërbyer si Gjyqtar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kurse nga 2009 deri 2012 si President i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. 

Owada kishte lexuar Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, kur ishte lëshuar duke thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur Ligjet ndërkombëtare. 

“Si jurist me ndikim jashtëzakonisht profesor Owada mbetet një burim frymëzimi për breza në tërë botën. Jemi thellësisht krenar sot që profesor Owada laurohet me titullin ‘Doctor Honoris Causa’. Jam jashtëzakonisht i nderuar.” – ka thënë Puka.

Në këtë ngjarje morën pjesë ambasadori i Japonisë në Kosovë Kiminori Iwama, ambasadori i Kosovës në Japoni Sabri Kiçmari, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Nexhmi Rexhepi, kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së Altin Sahiti, rektorë të Universiteteve të tjera publike, senatorë, dekanë, profesorë e studentë të UP-së.

Më 28.05.2025, në mbledhjen e Senatit të UP-së ishte marrë Vendimi për ndarjen e titullit “Doktor Nderi” profesorit Hisashi Owada.

Në bazë të Statutit të UP-së titulli “Doktor Nderi” i ndahet një personi i cili ka arritje të mëdha në fushën e shkencës dhe artit, apo ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore në mbështetjen dhe konsolidimin e paqes./Kallxo.com

Shija e redaktorit

Komuna e Pejës nderon disa figura në ditën e çlirimit,...

Qyteti i Pejës të hënën e ka shënuar ditën e çlirimit ku Komuna është përkujdesur që qytetarëve t’iu ofrojë aktivitete të ndryshme. Dita nisi me...

Dita e dytë e Grupit “EEPG” në Pejë, flitet për...

Dita e dytë në hotelin “Dukagjini” në Pejë ku janë mbledhur botues dhe ekspertë të fushës së arsimit nga vende të ndryshme të Evropës,...

BOTUESIT EVROPIANË NË KOSOVË: “DUKAGJINI” DHE EEPG-JA ME DISKUTIM SHKENCOR...

Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim (EEPG), në bashkëpunim me shtëpinë botuese "Dukagjini", po organizon eventin: "TEACHING TOGETHER: EMPOWERING EDUCATORS AND ELEVATING PUBLISHER'S ROLE...

Të fundit nga rubrika