“Vëllai im u bë i kombit”, rrëfimet për dëshmorët e Vrellës së Istogut

Në memorialin e dëshmorëve në Vrellë të Istogut, familjarët e të rënëve dhanë rrëfime plot dhimbje dhe krenari për të dashurit e tyre. Dukagjini sjell emocione nga nderimet e bëra sot në këtë fshat, ku u përurua memoriali që do të shërbejë si një kujtesë e gjallë e sakrificës që solli lirinë

Në Vrellë të Istogut, mes varreve të dëshmorëve, Ilaz Bicaj mbërrin ngadalë – pak nga mosha e pak nga mërzia.

Para varrit të vëllait të tij, sytë i flasin në vend të zërit.

Koha nuk ia ka zbehur kujtimet që sot Bicaj i ka më të çmuarat.

“Ka qenë inxhinier i nxemjeve solare. Ka bërë jetë të mirë në Suedi. Por ka punu për atdhe. Kur nisi lufta la familjen e erdhi. Më thirri e tha po vi n’Kosovë, edhe vdeksha vdes për liri të Kosovës. Ashtu ndodhi. Me 10 prill më thirri nga Suedia, më 12 prill vdiq. Janë vra 12 vet përmenjëherë. Deri sa e ka kap pushkën ka qenë veç vëllau jem, kur e kapi pushkën u bë vëllau i tërë kombit”, ka thënë Ilaz Bicaj, vëllau i Halilit Bicaj.

Fatin e njëjtë e pati edhe Familja Hakaj e cila përpos dhimbjes, u sigurua që birit të tyre t’i dihet edhe portreti prej ushtari.

Ata, përjetësimi në këtë memorial i bënë krenar.

“Jam krenar që jam vëllau i Qazimit, ka ranë për lirinë e kësaj toke. Ranë për këtë tokë që mos të vdesin kurrë. Neve dhimbja na shtohet por krenaria rritet bashkë me të. Është mirë që janë varrosur dhe do të kujtohen në tokën që dhanë jetën për të”, ka thënë Agim Hakaj, Vëlla i Qazim Hakajt.

Një djalë iu sakrifikua edhe familjes Demaj, e cila të premten e rivarrosi ushtarin Nimon Demaj në memorialin “Dëshmorët e Kombit”.

“Jemi shumë shumë të kënaqur që e kemi pru këtu. Ditë e mirë, për neve pak rëndë. Ka qenë tek Fusha e Zogut kur ka ra, veç 18 vjeç. Ka qenë i varrosur në Gjakovë fillimisht e pastaj e kemi pru këtu”, ka thënë Jusuf Demaj, vëllau i dëshmorit Nimon Demaj.

Në këtë memorial, ku prehen 34 bijë e bija të lirisë, gjaku i derdhur nuk është harruar.

Ai është bërë themel i një kujtese që nuk vdes – sepse këtu pushon jo vetëm e kaluara, por edhe krenaria e përhershme e një kombi.

Shija e redaktorit

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Komuna e Pejës nderon disa figura në ditën e çlirimit,...

Qyteti i Pejës të hënën e ka shënuar ditën e çlirimit ku Komuna është përkujdesur që qytetarëve t’iu ofrojë aktivitete të ndryshme. Dita nisi me...

Të fundit nga rubrika