Veriu, vrasjet ndaj grave dhe ngjarjet që karakterizuan vitin 2022 në Kosovë
Protesta, greva, bojkotimi i institucioneve, tensione, shtimi i përpjekjeve ndërkombëtare për një stabilizim mardhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Seribisë dhe barrikadat e vendosura për javë të tëra, ishin disa nga rrethanat që e karakterizuan vitin 2022 në Kosovë. Më 3 nëntor, është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, pasi ai ditë […]
Protesta, greva, bojkotimi i institucioneve, tensione, shtimi i përpjekjeve ndërkombëtare për një stabilizim mardhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Seribisë dhe barrikadat e vendosura për javë të tëra, ishin disa nga rrethanat që e karakterizuan vitin 2022 në Kosovë.
Më 3 nëntor, është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, pasi ai ditë më parë kishte deklaruar se refuzon ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës, për shpërndarjen e fletave qortuese për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.
Lajmin e kishte bërë të ditur Policia e Kosovës, gjersa ishte Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ai që kishte thënë se refuzimi i zbatimit të vendimit për targa e cenon rëndë sigurinë e shtetit të Kosovës.
Dy ditë më vonë, në një takim të mbajtur në Zveçan, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, vendoson për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës, policët serbë, janë parë duke i zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës. Ndërkaq, Lista Serbe është dorëhequr prej çdo institucioni qendror, lokal e gjyqësor.
Më 21 nëntor, ndonëse u takuan me ndërmjetësim të BE-së, takimi Kurti-Vuçiq nuk solli marrëveshje, gjë e cila bëri Borrellin të thotë se të dy mbanin përgjegjësi të plotë, lidhur me dështimin për arritjen e një marrëveshjeje.
Me këtë rast, SHBA-të kërkuan një shtyrje të afatit prej 48 orësh, duke arritur marrëveshjen për targat.
Ishte 23 nëntori i këtij viti, kur kryediplomati evropian, Josep Borrell, deklaroi se ishte arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, lidhur me çështjen e targave, në ditën kur u zhvillua takimi trepalësh në mes Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Ne kemi një marrëveshje! Me kënaqësi të njoftoj se kryenegociatorët e #Kosovës dhe #Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqëndruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, kishte shkruar Borrell.
Borrell bëri të ditur se Serbia do ta ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do t’i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do t’i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm”, kishte deklaruar Borrell.
Me regjistrimin e veturave me targa të Kosovës, pati raste që serbëve lokalë iu dogjën veturat, disave edhe depot.
Policët serbë në veriun e Kosovës refuzuan zbatimin e vendimit për targat, dhe më 2 nëntor, Drejtori i Policisë së Kosovës në atë zonë Nenad Gjuriç, u pezullua nga puna. Dy ditë më vonë, punonjësit serb në institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë braktisën vendet e punës.
Ndonëse u arrit një marrëveshje, situata në veri mbeti e tensionuar deri në pikën kur grupe serbësh penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke bërë që Policia e Kosovës të njoftonte për incidente.
Zyrtyarët provuan të fillojnë përgatitjet e zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave veriore të caktuara për datën 18 dhjetor të këtij viti, por ato u shtyen deri në muajin prill të vitit 2023. Vlen të theksohet se Lista Serbe nuk ishte në mesin e subjekteve politike.
Kjo nuk shënoi një fund të tensioneve. Arrestimi i një ish-pjesëtari të policisë nga radhët e komunitetit serb për sulm ndaj autoriteteve, bëri që rrugët të bllokohen sërish.
U raportuan incidente dhe krahas tyre, edhe plagosja e një pjesëtarti të Policisë së Kosovës.

Më 29 dhjetor, pas 20 ditësh me praninë e barrikadave, ato u larguan në orën tre të pasdites. Por, jo të gjithë kamionët e llojet e tjera të automjeteve u ndezen me kohë. Disa prej tyre kanë nevojë për asistencë.
Derisa kjo procedurë kryhet, disa persona të tjerë të maskuar vëzhgojnë situatën pak më metra larg. Serbëve të maskuar nisi t’u pengonte prania e shumë gazetarëve dhe kameramanëve. Andaj, për vazhdimin e largimit të barrikadave, ata kërkuan zhvendosjen e punonjësve të mediave në një distancë më të largët.
Kjo mundësoi vazhdimin e punës për lirimin e rrugës, proces ky që zgjati dy orë. E, pas Rudarit, u largua edhe barrikada në Lagjen e “Boshnjakëve” të Mitrovicës së Veriut. Gjatë ditës, barrikadat u hoqën edhe në Zubin Potok.
“Vetë i vunë e vetë i hoqën”, kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e fundvitit me gazetarë, lidhur me situatën në veri, në të njëjtën ditë, kur largimi I barrikadave kishte filluar.
Krahas kësaj, ai tha se viti 2023 duhet të jetë vit i vetingut për drejtësi dhe i zhvillimit edhe më të madh në ekonomi.
PROPOZIMI “FRANKO-GJERMAN” PËR MARRËVESHJEN KOSOVË – SERBI
Ishte fillimi i muajit shtator kur kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, angazhuan këshilltarët e tyre për t’i mbështetur bisedimet Kosovë – Serbi. Pas vizitës së këtyre të fundit, u tha se kishte një nismë, e cila u bë e njohur me emrin “plani franko-gjerman”, nismë e cila nuk përfshinte njohjen e ndërsjellë.
Një plan i tillë nuk u kundërshtua nga Vuçiq, i cili tha se ishte një propozim i dy vendeve të fuqishme, dhe si i tillë, duhej marrë në konsideratë.
Nga Kurti, propozimi u quajt si bazë e mirë për diskutime.
Propozimi që mori mbështetjen amerikane, mes tjerash, përfshin edhe zotimin e palëve për të përmbushur të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Pjesa më e diskutueshme në mes dy palëve, Kosovës dhe Serbisë, mbetet çështja e Asociacionit, çështje për të cilën nuk mund të mohohet trysnia e jashtme. Beogradi ngul këmbë në themelimin e tij sipas marrëveshjes së viteve 2013 dhe 2015, ndërsa Kosova vazhdon të theksojë se Gjykata Kushtetuese ka gjetur një mori shkeljesh në të.
Nga ana tjetër, i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, tha se ka modele të shumta evropiane, sipas të cilave, pakicat mund ta mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kuadrin kushtetues të vendit ku jetojnë.
Kosova nënshkruan aplikimin për anëtarësim në BE

Më 14 dhjetor, aspirata shumëvjeçare e Kosovës për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, është hedhur në letër të mërkurën.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ky veprim është vlerësuar si historik nga udhëheqësja e shtetit.
Ceremonia ka përkuar me 4-vjetorin e miratimit të ligjeve, të cilat i hapën rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Aplikimi iu dorëzua zyrtarisht presidencës Çeke të BE-së, në Pragë, nga kryeministri Kurti.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte shpallur grevë të përgjithshme nga 25 gushti, pasi kërkonin realizimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro, deri në miratimin e Ligjit të pagave.
Kjo për shkak se sindikalistët nuk kishin arritur të dakordoheshin me zyrtarët e institucioneve, për ta anuluar grevën e paralajmëruar ditë më parë.
Paralajmërimet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), i kishte quajtur të paarsyeshme, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ajo ka premtuar se punëtorët e arsimit do të kenë paga të dinjitetshme në raport me performancën e tyre.
Për këtë arsye, sipas Nagavcit, ishte e papranueshme që procesi mësimor të mos fillojë me kohë.
“Paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga, nuk kanë arsyetim! Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdojë më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron!”, kishte shkruar ministrja në Facebook.
Nagavci kishte thënë se me projektligjin e ri për paga, rangimi i punëtorëve të arsimit është bërë edhe më mirë sesa ka kërkuar SBAShK-u.
“Jam shumë e bindur në përkushtimin e mësimdhënësve dhe përgjegjësinë që të njëjtit ndjejnë ndaj nxënësve. Sindikatat janë partneri ynë social, andaj dhe kemi shqyrtuar çdo kërkesë të tyre. Projektligji i ri i pagave adreson rangimin e punëtorëve të arsimit edhe më mirë sesa SBASHK-u kishte kërkuar e që ishte pajtuar, me ish-qeverinë, andaj edhe procesi mësimor s’bën të pengohet”, kishte vijuar Nagavci.
Ajo kishte theksuar se Qeveria e Kosovës po ballafaqohet me pasojat e veprimeve të qeverive të kaluara, teksa shtoi se nuk do të lejohet as zhvatja e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër që bie ndesh me ligjin.
Më 21 shtator, gjersa greva vazhdonte akoma, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj, kishte deklaruar se fajtori i vetëm për grevën në arsim është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria që ai drejton.
Krahas kësaj, ai kishte thënë se Qeveria po kujdeset t’i zhdukë sindikatat.
Më 1 tetor, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, kishte thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta dijë se greva nuk po përmbyllet, por po pezullohet deri në janarin e vitit 2023.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga vetë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK) të shtunën e 1 tetorit. Jasharaj ka thënë se shpreson që Qeveria t’i marrë këto si kohë, për të realizuar një dialog të mirëfilltë, ashtu që greva të mos përsëritet.

Më 25 nëntor, kryeqyteti u zgjua me një lajm tronditës të një rasti të rëndë të vrasjes.
U raportua se burri 70-vjeçar kishte vrarë gruan e tij 63-vjeçare me sëpatë. Lajmin për Portalin Dukagjini, e kishte konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë në Prishtinë. Ajo kishte bërë të ditur se 70-vjeçari ishte vetëdorëzuar në polici.
“Dërgohet në mbajtje një person i dyshuar për vrasje të rëndë. Sot rreth orës 04:40, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në një shtëpi në rrugën ‘Mark Isaku’ në Prishtinë. Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë”, ka thënë Ahmeti, gjersa ka theksuar se “Lidhur me rastin është vetëdorëzuar një person i dyshuar: I. G, mashkull 70 vjeç. Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar, dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”.
Vrasja e 35-vjeçares shtatzënë në oborrin e QKUK-së
Të mërkurën e 30 nëntorit, një grua shtatzënë 35-vjeçare ka mbetur e vrarë në oborrin e QKUK-së, në Prishtinë. Ajo dyshohet se është qëlluar me armë nga bashkëshorti i saj.
E ndjera kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse dhe njëherit, posedonte urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore e Ferizajt.
Këtë e bëri të ditur këshilltarja e Albulena Haxhiut në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlie Bala.
E pyetur se a është dashur që e ndjera të ketë qenë e mbrojtur në kohën sa ishte në hapësirat e QKUK-së, Bala tha se nuk i di të gjitha detajet e procedurave të mbrojtjes.
“Sipas informacioneve që i kemi e ndjera ka pasur urdhër mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj”, ka thënë ajo.
Krahas kësaj, Kallxo.com zbuloi se i dyshuari kishte aktakuzë për kanosje më 10 gusht të këtij viti, në Gjykatën e Ferizajt.
Lidhur me lajmin, kishte reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani Sadriu. Osmani kishte thënë se nuk ka më arsyetime lidhur me sprovën e shoqërisë, për të cilën, thotë se nuk është vetëm e shtetit. Ajo kishte vizituar familjen e së ndjerës.
Bashkëshorti i së ndjerës ishte vetëvrarë një orë pas varrimit të saj.
Kunata e pranoi se e kreu vrasjen e 67-vjeçares në Dragash
Më 27 dhjetor, Policia e Kosovës ka njoftuar se e dyshuara për vrasjen e të moshuarës në Dragash, e ka pranuar se e ka kryer vrasjen e 67-vjeçares.
Sipas Policisë, ajo këtë veprim e ka bërë duke përdorur mjete të ndryshme të forta, të cilat më pas i ka fshehur.
“Pas ballafaqimit me prova të reja, e dyshuara në prezencën e avokatit mbrojtës e ka pranuar se ka kryer vrasjen. Këtë veprim e ka bërë duke përdorur mjete të ndryshme të forta, të cilat më pas i ka fshehur. Nga njësitet e forenzikës janë sekuestruar prova të reja. Me urdhër të Prokurorit te rastit, e dyshuara ndalet në ndalim policor për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, vepra penale e kryer nga e dyshuara është riklasifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Dy ditë më vonë, Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarës N.A, e cila po dyshohet se vrau kunatës e saj S.D (67-vjeçare).
Ministria e Shëndetësisë me muaj pa zot shtëpie

Më 25 nëntor, ishin shënuar 50 ditë qëkur Ministria e Shëndetësisë ishte pa një ministër.
Ani pse në krye të këtij dikasteri ishte ushtruesja e detyrës, Dafina Gexha-Bunjaku, tashmë në zëvendësim të ish-ministrit të shëndetësisë, Rifat Latifi, a mund të funksiononin detyrat në tërësi të kësaj ministrie, sikurse në praninë e “Zotit të Shtëpisë”?
Ministria e Shëndetësisë i ishte përgjigjur se Gexha-Bunjaku kishte kompetencat e plota të detyrës.
Të shtunën e 8 tetorit, është vetë Rifat Latifi, ai i cili ka dalë me një letër publike, përmes së cilës, kishte thënë se rezultati i dorëheqjes ishte reflektimi përgjatë muajve të fundit.
“Siç është bërë e njohur tashmë, me datë 6 tetor 2022, me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, dhashë dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ku shërbeva për 10 muaj e gjysmë si ministër. Ky ka qenë vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time”, ka shkruar Latifi.
Përgjatë kohës së tij si ministër, ai ka thënë se kishte filluar rindërtimin dhe transformimin e të gjithë sistemit shëndetësor.
Latifi ishte emëruar ministër më 16 nëntor të vitit 2021, duke e zëvendësuar atë kohë ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kurti e kishte emëruar doktor Rifat Latifin, ministër të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Arben Vitisë, për shkak të angazhimit të tij si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Në këtë vit, kryeministri i Kosovës ka themeluar një Komision për Shëndetësi, në të cilin, e kishte emëruar veten kryesues të tij, për t’u marrë me problemet e këtij sektori. Ky veprim i kryeministrit u interpretua si injorim apo mosbesim ndaj Rifat Latifit.
Ndërkaq, më 26 dhjetor, ,kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori vendim që Arben Vitia të jetë përsëri ministër i Shëndetësisë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e kishte lënë këtë post për të garuar për të parin e kryeqytetit, ishte duke punuar në një ordinancë private.
Vitia i kishte humbur zgjedhjet për të parin e kryeqytetit në balotazh kundër kryetarit aktual, Përparim Rama.
Arben Vitia rikthehet në pozitën e ministrit të Shëndetësisë















