Sipas një vlerësimi të hershëm të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të Pentagonit (DIA), sulmet ushtarake amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit gjatë fundjavës së kaluar nuk i shkatërruan komponentët kyç të programit bërthamor iranian, por thjesht e vonuan atë për disa muaj.
Siç shkruan CNN, këto gjetje bien në kundërshtim të qartë me pretendimet e presidentit Donald Trump dhe sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, të cilët kishin deklaruar se sulmet kishin “zhdukur plotësisht” kapacitetet bërthamore të Iranit.
Vlerësimi, i përshkruar nga katër burime të njohura me çështjen, tregon se centrifugat mbetën kryesisht të paprekura dhe rezervat e uraniumit të pasuruar nuk u shkatërruan. Në vend të kësaj, dëmet ishin kryesisht në strukturat mbitokësore, përfshirë infrastrukturën e energjisë dhe disa objekte të konvertimit të uraniumit.
Operacioni përfshiu goditjen e tre objekteve kryesore, Fordow, Natanz dhe Isfahan, me bomba depërtuese të rënda dhe raketa Tomahawk, por ndikimi në nivelet e thella nëntokësore mbeti i kufizuar. Zyrtarët amerikanë besojnë gjithashtu se disa objekte të fshehta bërthamore të Iranit nuk u prekën dhe mbeten funksionale.
Megjithëse ushtria amerikane e përshkroi operacionin si një “sukses të jashtëzakonshëm”, Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Dan Caine, paralajmëroi se është “shumë herët” për të gjykuar nëse kapacitetet bërthamore të Iranit janë eliminuar plotësisht.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë reagoi ndaj rrjedhjes së vlerësimit të DIA-s duke e quajtur atë “plotësisht të gabuar” dhe një përpjekje për të minuar suksesin e presidentit Trump dhe të operacionit ushtarak. Zbulimi i këtij informacioni shkaktoi gjithashtu shtyrjen e takimeve të klasifikuara për informimin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve mbi operacionin.
Vlen të theksohet se Izraeli kishte ndërmarrë sulme paraprake ndaj këtyre objekteve, por kishte kërkuar ndihmë nga SHBA përmes bombave të rënda për të përfunduar misionin.
Pavarësisht vlerësimeve të kundërta, presidenti Trump qëndroi pas deklaratave të tij, duke thënë se “vendndodhjet janë shkatërruar dhe pilotët duhet të vlerësohen për suksesin e misionit”.