Një moment interesant ka ndodhur gjatë përballjes televizive në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku gjatë debatit mes Ramiz Lladrovcit dhe gazetarit Lirim Mehmetaj për audio-incizimet e publikuara, është përfshirë me një telefonatë direkte edhe Bajrush Xhemajli, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Në lidhje direkte, Xhemajli ka sqaruar se punon për PDK-në, por nuk është kundër Lladrovcit, duke theksuar se raportet e tyre miqësore vazhdojnë.
“Unë jo për një pagë, por kundër mikut tim s’punoj askund, as s’kam punu, as nuk punoj. Por nuk i detyrohem as mikut, as kryetarit për të punu për Partinë Demokratike të Kosovës, as për rrogë, se unë jam një prej pesë themeluesve të PDK-së… kështu që kryetari Memli s’ka qenë atëherë, ky ka shku në Aleancë atëherë…”, ka thënë Xhemajli.
Ai ka pranuar se merr pagë nga partia, por ka mohuar se po punon kundër kandidatit aktual për kryetar të Drenasit.
“E vërtetë është që unë marr rrogë, se unë s’kam miliona, por është puna që unë nuk punoj kundër Ramiz Lladrovcit, por punoj për PDK-në”, ka theksuar ai.
Xhemajli gjithashtu ka konfirmuar se mbështet kandidatin e PDK-së për Drenas, Petrit Hajdarin, duke theksuar se kjo nuk përjashton respektin e tij për Lladrovcin.
“Po, natyrisht që është kandidat i PDK-së dhe e mbështes Petritin. Unë nuk jam kundër Ramiz Lladrovcit absolutisht. Bile unë e kam pas, e kam dhe akoma mendoj me pas mik. Por unë kam punu për z. Lladrovci kur ka qenë në pozitën e njëjtë siç është Petriti tash”, ka deklaruar Xhemajli.
Në debat, Lladrovci kishte pohuar më herët se miku i tij po punonte kundër tij, ndërsa moderatori Ermal Panduri e pyeti drejtpërdrejt Xhemajlin për këtë çështje, duke sjellë një moment të tensionuar, por edhe të qartë në raportet brenda PDK-së në Drenas.