Zbulimet shkencore që kanë lënë gjurmë në histori

Rreth 250 mijë dokumente tani mund të shikohen në internet, duke mbuluar gjithçka nga vëzhgimet e klimës, historia e ngjyrave, mënyra e përcjelljes së energjisë elektrike dhe kafshët

Një nga gjetjet e para shkencore të nënshkruara nga një grua tashmë është në internet për publikun.

Përshkrimet e Martha Gerrishit për yjet në vitin 1734 bashkohen me zbulimet nga Isaac Newton, gjuetarët e fosileve viktoriane dhe fotografët pionierë.

Dokumentet janë digjitalizuar nga institucioni shkencor, Royal Society në Londër.

Institucioni shpreson se do të çojë në më shumë zbulime pasi studiuesit përdorin arkivin.

Rreth 250 mijë dokumente tani mund të shikohen në internet, duke mbuluar gjithçka nga vëzhgimet e klimës, historia e ngjyrave, mënyra e përcjelljes së energjisë elektrike dhe kafshët.

Letra e parë e nënshkruar nga një grua

Në vitin 1734, një grua që jetonte në New England e quajtur Martha Gerrish i shkroi Shoqërisë Mbretërore se kishte parë një pamje të rrallë astronomike të quajtur Parhelion ose “sun dog” – një fenomen optik që shfaqet në qiell si dy aureolë pranë diellit.

Është letra e parë në arkivin e revistës së Shoqatës – e quajtur Transaksionet Filozofike – që dihet se është dërguar nga një grua në emrin e saj. Shumica e grave në atë kohë kishin qasje të kufizuar në arsimin formal dhe nuk do të konsideroheshin intelektuale të barabarta me burrat.

Image

Gerrish e pranon këtë çekuilibër në letrën e saj kur shkroi: “Nëse kjo do të vinte nga një dorë mashkullore, besoj se do të ishte një dhuratë e pranueshme për Shoqërinë Mbretërore”.

Letra tregon se gratë kanë kontribuar në shkencë për shekuj edhe kur puna e tyre nuk ishte publike, shpjegon historiania e Shoqërisë Mbretërore, Louisiane Ferlier.

Dinozaurët viktorianë

Gjuetari i dinozaurëve, Gideon Mantell, ka dërguar vizatime të detajuara nga zbulimet në vitin 1849, që ai bëri nga fosilet e dinozaurëve në bregun Jurasik, në Anglinë jugore.

Disa nga vizatimet në fakt ishin bërë nga gruaja e tij, shpjegon bibliotekari i Shoqërisë Mbretërore, Keith Moore, dhe ishin thelbësore për t’u treguar shkencëtarëve të tjerë se çfarë ishte zbuluar përpara se të shpiket fotografia.

Image

Vizatimet e fosileve të dinozaurëve ishin të rëndësishme për koleksionistët, por edhe për anatomistët, të cilët po përpiqeshin të kuptonin se si kockat përshtateshin së bashku për të formuar një kafshë, shton Moore.

“Keni një tufë kockash këtu. Si janë bashkuar ato? Këto ditë ne e dimë se si duket një dinozaur, por kur po filloni nga e para absolute, këto vizatime ishin vërtet të dobishme”, ka shpjeguar ai.

Zbulimi i Uranit

Hidhini një sy letrës origjinale të shkruar nga shkencëtari që e ka zbuluar planetin Uran.

William Herschel i shkroi Shoqërisë në vitin 1782 për të thënë se ai kishte parë një “planet parësor të sistemit tonë diellor”.

Ishte një zbulim tronditës në atë kohë, ka shpjeguar Moore, sepse shkencëtarët mendonin se kuptonin se çfarë kishte në qiell.

Por William Herschel po përdorte një teleskop të ri të fuqishëm dhe “papritmas ai gjeti diçka të re, që ishte planeti i parë i zbuluar në historinë moderne”.

Por nëse Herschel do të kishte vazhduar sipas mënyrës së tij, sot do ta quanim planetin Uran diçka krejtësisht ndryshe. Ideja e tij ishte ta emëronte atë “Georgium Sidus” – sipas mbretit George III.

Eksperimentet e hershme të fotografisë

Shumë kohë përpara se telefonat inteligjentë dhe kamerat digjitale të ishin kudo, shpikësit në vitet 1830 dhe 1840 po eksperimentonin me një ide të re.

Disa nga përpjekjet e para për të kapur imazhe u dërguan në Shoqërinë Mbretërore.

Një novator, William Henry Fox Talbot, shkroi në vitin 1839 se ai mendonte se kishte zbuluar diçka që mund të kishte “shumë aplikime të dobishme dhe të rëndësishme”.

Letrat e tij zbulojnë gjithashtu se si shpikjet ndonjëherë mund të ndodhin përmes dështimit, shpjegon bibliotekari Moore.

I frustruar nga aftësitë e tij të dobëta në vizatim, Talbot u përpoq të shpikte një mënyrë të re për të kapur fotografi.

Image

Përveç këtyre katër gjetjeve, Shoqëria Mbretërore – një nga organizatat kryesore shkencore në botë – ka mijëra objekte të tjera të mbledhura qëkur u themelua në vitin 1660.

Shkencëtarët themelorë, duke përfshirë Benjamin Franklin, Edmund Halley dhe Isaac Nwton dërguan gjetjet e tyre kërkimore në revistën e Shoqërisë.

Por njerëzit e zakonshëm gjithashtu mund t’i paraqesin idetë dhe zbulimet e tyre me letra dhe fotografi. Një letër në vitin 1790 nga një prodhues francez i rrobave përfshinte një copë mëndafshi që, sipas tij, tregonte se kishte zbuluar se si të bënte “ngjyrosjen më rozë ndonjëherë”.

Bërja e historisë së shkencës më të qasshme për publikun është “thelbësore”, ka theksuar Ferlier, e cila ndihmoi në digjitalizimin e arkivit.

“Ajo tregon se si shkenca ka evoluar dhe është rritur në një disiplinë me kontrolle dhe ekuilibra që ne mund t’i besojmë sot”, ka sqaruar ajo.

Të fundit nga rubrika