Kanë kaluar disa ditë qëkur në fuqi hyri vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shkyçjen e bizneseve që nuk arritën të lidhin kontratë me një furnizues të licencuar për tregun e lirë.
Zhurmë nga bizneset u bë, e edhe paralajmërime u dhanë nga përfaqësuesit e odave të bizneseve për pasojat e formës në të cilën hyri në fuqi vendimi.
Por as edhe një deklarim e veprim nuk u ndërmor nga institucionet qendrore, as nga Presidenca e as nga qeveria në detyrë.
Kjo për përfaqësuesit e bizneseve mbetet zhgënjyese.
“Fatkeqësisht institucionet nuk kanë mbështetur fare bizneset ani se rreth 60% e buxhetit të shtetit mbushet po nga këto biznese që dolën dhunshëm në tregun e lirë. Përkundër kërkesave publike, letrave dhe disa takimeve, institucionet në heshtje kanë mbështetur veprimin e ZRRE-së. Për më tepër përkundër që BE shprehu gatishmërinë që të mbështeste Kosovën të kalonte këtë proces hap pas hapi dhe për të cilin ofroi mbi 22 milionë euro, institucionet sërish heshtën. Kjo është një porosi shumë negative si për bizneset vendëse ashtu edhe për ato të jashtme që kanë investuar dhe që në një nga kushtet e favorshme u është thënë se është energjia”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.
Njëzëri shprehen edhe nga Oda Ekonomike gjersa thonë se qeveria ka marrë një anë tjetër.
“Tek ne është kriju precepsioni se ma shumë Qeveria ka qenë në anën e furnizuesve sesa bizneseve edhe si nuk e kanë marrë mundim asnjë reagim të ketë. Ju kujtohet në fillim të qershorit se si ministrja ka qenë kategorike që bizneset të lidhin kontratë me furnizuesit dhe aty e kemi kuptuar se s’është në rregull. Kemi kërku nga kryeministri me subvencionu ashtu siç ka kërkuar ZRrE për një subvencionim 50 milionësh po s’kemi pas përgjigje”, ka thënë Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike.
Rafuna thotë se qeveria ka injoruar thirrjet e tyre ndonëse.
Mes të tjerash, kritika i drejtohen edhe Presidentes, Vjosa Osmani.
“Ju kemi drejtu edhe Presidencës, s’kemi pas asgjë zyrtare por do ishte shumë e mirëseardhur dhe jo të qëndrojë në heshtje gjersa shkatërrohet ekonomia. Rrugës do ishte që qeveria të subvenciononte shumën. Tash është edhe më e vogël se po flasim për 7-8 muaj, të ketë një paketë mbështetëse dhe një kërkesë tek ZRRE ta përgatisë terrenin më mirë”, ka thënë Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike.
Televizioni ka pyetur Presidencën që nga java e kaluar për një koment por e njëjta, sikurse edhe qeveria në detyrë, nuk janë deklaruar për Dukagjinin.
Nga vendimi i ZRrE-së preken 1400 biznese, ndërsa shkyçja e tyre ka nisur që nga dita e shtunë dhe po vazhdon ende.