ZRrE-së i kërkohet pezullimi i licencave të EFT dhe NOA: “Albin Kurti u ka borxh qytetarëve një përgjigje”

“Albin Kurti u ka borxh qytetarëve të këtij vendi një përgjigje për mafinë energjetike.”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës i është drejtuar deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, me thirrje për të dhënë llogari, në dritën e dyshimeve serioze për keqpërdorime masive dhe shkelje flagrante të rregullores REMIT dhe të Ligjit të Komunitetit të Energjisë – dyshime që rëndojnë mbi kompanitë EFT Group dhe NOA Energy Trade Sh.p.k.

Në vitet e fundit, qytetarëve iu gërrye fuqia blerëse nga inflacioni i paprecedent, një realitet që më parë u ishte premtuar si i pamundur nga vetë Kurti. Megjithatë, pesë vite nga ky zotim, qytetarët panë t’u shtrenjtohen eksponencialisht produktet bazike dhe tarifat e energjisë.

Realiteti sfidues global, si një nga shkaktarët e krizës së shtrenjtimit, në rastin e Kosovës po rezulton të jetë vetëm maja e ajsbergut.

Kjo pasi, teksa Qeveria Kurti kompletoi mandatin katërvjeçar, dyshimet për manipulimet në tregun ndërkufitar të energjisë për, siç tha deputetja Bajrami, “t’u majmur fitimi EFT-së së Vuk Hamoviqit dhe NOA Energy-së”, po vazhdojnë të dalin në dritë. I ashtuquajturi “treg i lirë”, në anën tjetër, ka tronditur edhe prodhuesit vendas, me çmime që u ofrohen deri në trefishin e niveleve të mëparshme.

Në dritën e kësaj, deputetja Bajrami i ka kërkuar sqarime të menjëhershme Kurtit lidhur me këto dyshime, duke i kujtuar përgjegjësinë që mbart me emërimet në ZRrE dhe KOSTT, si dhe dështimet e ministres Rizvanolli:

“Albin Kurti u ka borxh qytetarëve të këtij vendi një përgjigje për mafinë energjetike. Sado që përpiqet të hapë tema të tjera, lulëzimi i mafisë energjetike gjatë qeverisjes së tij është elefanti në dhomë. Çdo ditë, çdo natë, çdo minutë, qytetarëve po u preken xhepat, për t’u majmur fitimi EFT-së së Vuk Hamoviqit dhe NOA Energy-së. Deklarohu, z. Kurti!. Njerëzit që ti ke vendosur në ZRrE dhe KOSTT kanë lejuar që tash katër vjet të zhvillohet kjo skemë që dëmton qytetarët dhe bizneset. Ministria e Ekonomisë ka dështuar në çdo politikë të saj për energjinë, KEK-u asesi s’mund të kamuflohet me fitime fiktive, sepse është arsyeja kryesore e rritjes enorme të importit në vitet e fundit. “

Më tej, Bajrami ngriti alarmin se dy kompanitë e përmendura kanë kapur në mënyrë të rrezikshme sektorin energjetik të Kosovës, duke operuar në kundërshtim të hapur me licencat, me legjislacionin vendor dhe me rregullat e Komunitetit të Energjisë dhe rregulloren REMIT.

“Për me tepër dy kompanitë e lartpërmendura private e kanë marrë peng sektorin e energjisë në Kosovë, ka dyshime të bazuara se janë duke vepruar në kundërshtim me licensat, në kundërshtim me ligjet e Kosovës, në kundërshtim me rregullat e Komunitetit të Energjisë dhe me Rregullorën REMIT.” – tha Bajrami mes tejrash.

Në lidhje me dyshimet e keqpërdorimeve nga këto kompani, anëtarja e LDK-së, Janina Ymeri, ka bërë të ditur se ka dorëzuar një ankesë zyrtare pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji, e mbështetur në dokumentacion konkret, për manipulime të pretenduara në tregun ndërkufitar të energjisë nga kompanitë Energy Financing Team LLC FT dhe NOA Energy Trade Sh.p.k.

“Sot kam dorëzuar pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) një ankesë dhe kerkese per hetime, e mbështetur në dokumente konkrete, për manipulime në tregun ndërkufitar të energjisë nga kompanitë Energy Financing Team LLC FT dhe NOA Energy Trade Sh.P.K.”

Ajo shtoi se ka kërkuar pezullim të menjëhershëm të licencave të këtyre operatorëve, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që, sipas saj, kanë pasur në rritjen e kostos së energjisë për bizneset kosovare, përmes përvetësimit të kapaciteteve dhe kontrollit të aksesit në importet e energjisë.

“Në këtë ankesë po ashtu kam kerkuar pezullimi i menjëhershëm i licencave të këtyre operatorëve derisa zhvillohen hetimet për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që kanë pasur në rritjen e çmimeve të energjisë për bizneset kosovare, përmes grumbullimit të kapaciteteve dhe kontrollit të aksesit në importet e energjisë. ZRRE tani ka në dorë zgjidhjen, të ndalë përfitimet e paligjshme nepermjet zhbllokimit të dy interkonektorët ME-KO dhe KO-MA, qe njëkohësisht do te liroje edhe çmimin e rrymës se importuar.”

Ymeri ka dorëzuar gjithashtu një ankesë formale edhe pranë Agjencisë së Bashkëpunimit të Rregullatorëve të Energjisë së BE-së (ACER), si dhe në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, lidhur me dyshimet për shkelje të rënda të rregullores REMIT dhe Ligjit të Komunitetit të Energjisë.

Sipas saj, ankesa ngre shqetësime për një sjellje të përsëritur gjatë vitit 2024, që sugjeron një strategji të mirëmenduar dhe të koordinuar për bllokimin e kapaciteteve ndërkufitare të energjisë në kufijtë e Kosovës.