Kuvendi Komunal në Mitrovicën Veriore ka vendosur se grupi inicues për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq ka afat deri më 22 janar për ta dorëzuar peticionin e tyre.
Grupi inicues ka dërguar një kërkesë zyrtare përmes e-mailit, duke kërkuar që salla e sportit në pjesën veriore të shfrytëzohet për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit dhe kjo është miratuar nga Kuvendi Komunal.
Sipas kryesuesit të Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin, ata kanë dhënë dokumentacionin e duhur dhe janë lajmëruar për afatin, duke përfshirë edhe numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për t’u konsideruar një peticion i vlefshëm.
Ugljanin ka theksuar se 22 janari është afati i fundit për dorëzimin e peticionit, dhe pas kësaj date, kryesuesi i Kuvendit do t’i dërgojë KQZ-së për vlerësimin e nënshkrimeve.
“Kuvendi Komunal në Konsultime me asamblistë ka vendosur që sipas kërkesës që grupi inicues përmes e-mailit ia ka dërguar Kuvendit Komunal, ka sjellë vendimin që ata munden me e shfrytëzu objektin të cilin e kanë kërkuar sipas kërkesës sallën e sporteve në pjesën veriore për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit”, ka deklaruar ai për RTV Dukagjinin.
Lexo edhe: Inicuesit e “panjohur” të zgjedhjeve, gishti drejtohet kah Lista Serbe
Komisioni Zgjedhor është informuar mbi procesin dhe numrin e votuesve në Mitrovicën Veriore, ndërsa për të konsideruar peticionin si të pranueshëm, duhet të sigurohet 20% e nënshkrimeve të nevojshme, që sipas Komisionit, janë 3640 nënshkrime.
“Ata sipas afatit kur janë lajmëruar edhe kur i kemi dhënë ne dokumentacionin e duhur që kanë lypur edhe e kanë nënshkruar proces-verbalin ata, më 22 janar është afati i fundit që duhet me e dorëzu peticionin, kryesuesit të Kuvendit Komunal kur kryesuesi do t’i dërgojë KQZ-së…po 20% të nënshkrimeve që është 3640 nënshkrime sipas Komisioni Zgjedhore që na kanë dërguar edhe na kanë njoftuar sa janë votues në Mitrovicën Veriore”, ka deklaruar tutje Ugljanin.