Tre persona humbën jetën nga të shtënat me armë pranë Shkollës së Mesme “Lincoln” në shtetin amerikan të Illinois, ndërsa sulmuesi më pas kreu vetëvrasje, njoftoi policia.
Sipas raportimeve, i dyshuari qëlloi me pushkë drejt një automjeti pranë shkollës në qytetin Berwyn, të dielën rreth orës 16:05, raporton Newsweek.
Komandanti i Departamentit të Policisë së Berwyn, Michael Fellows, tha se incidenti “duket se lidhet me një marrëdhënie familjare”.
Ai shtoi se, kur sulmuesi qëlloi drejt tyre, policët kërkuan mbulim dhe nuk u kundërpërgjigjën me armë. Më pas, i dyshuari ia drejtoi armën vetes duke i dhënë fund jetës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se sot nuk do të ketë mësim në shkollën “Lincoln”, ndërkohë që punonjës socialë dhe këshilltarë janë vendosur në dispozicion të nxënësve që duan të bisedojnë për ngjarjen e rëndë.