Me qëndrimin aktual të Bashkimit Evropian, Kosova duhet t’i llogarisë të humbura rreth 42 milionë euro që i pagoi për mbulimin e kostos së rrymës në veri, si pasojë e dështimit Elektroseverit për të përmbushur licencën në periudhën Tetor 2022 – Dhjetor 2023.
Përkundër që ishte zotuar të gjejë mjete financiare për mbulimin e dëmeve vetëm e vetëm që Elekroseverit të mos i merrej licenca pas shkeljes të afateve, blloku 27-anëtarësh nuk dëgjon më për atë që Kosova konsideron borxh ndaj saj.
Këtë e konfirmon përgjigjja e Shërbimit të Jashtëm të BE-së, pas muajsh pritjeje.
“Ne nuk shohim bazë ligjore për këtë. Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Sorensen mbetet i gatshëm që të adresojë shqetësimet e sjella nga palët në dialog, gjatë takimeve të kryenegociatorëve”.-Bashkimi Evropian
Sipas një deklarate, në Mars 2024, nga zëvendëskryeministri – tani në detyrë – Besnik Bislimi, ish-Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajçak, kishte kërkuar Zyra e Rregullatorit për Energji të mos ia tërhiqte licencën Elektroseverit, përkundër dështimit për nisjen e faturimit.
Në këmbim, sipas Bislimit, Lajçak ishte zotuar të gjejë forma financimi nga BE-ja për të kompensuar dëmin nga Tetori 2022, kur sipas licencës Elektrosever do të duhej të niste faturimin – ose t’i hiqej licenca.
Por, kompania bijë e ndërmarrjes publike elektroenergjetike të Serbisë – e licencuar në Kosovë në Qershor 2022 – nuk nisi faturimin deri në Janar 2024.
Dëmi buxhetor i shkaktuar si pasojë e këtij dështimi të Elektroseverit, në këtë periudhë, llogaritet të jetë rreth 42 milionë euro.
Për zotimin e Lajcak, në Prill 2024 Bilsimi i kishte dërguar shkresë zyrtare BE-së.
Në total, që nga përfundimi i luftës, si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike nga banorët në katër komunat me shumicë serbe në veri, dëmi buxhetor llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.