Të hënën e 10 tetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart B. Munsch.
Kreu i Qeverisë në këtë takim ka rikonfirmuar gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Duke shprehur mirënjohje për punën, rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, shefi i ekzekutivit ka ritheksuar se ruajtja e sigurisë në Kosovë është qëllim i përbashkët.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e njoftoi admiralin Munsch me progresin ekonomik, demokratik, social e të sigurisë në Kosovë.
Po ashtu në këtë takim u theksua zotimi për angazhim dhe koordinim ndërmjet Qeverisë, institucioneve dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Po ashtu në takim komandatin e NATO-s në Napoli e ka pritur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
E para e vendit ka theksuar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për bashkëpunim me NATO-n dhe KFOR-in.
Ndër të tjera, ajo ka theksuar se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe ShBA-së kundër Rusisë.
Osmani: FSK është në tranzicion dhe po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s