Këtë të shtune kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me drejtorin për Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Azinë, në Agjencinë Franceze për Zhvillim, Cyrille Bellier dhe Vladimir Deliry, nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës.
Në këtë takim është diskutuar për angazhimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova është qendër e rajonit të EMENA-s dhe krahas pozitës gjeografike, Kosova ka potencial të madh në rajon.
“Në takim u bisedua edhe për sfidat sociale dhe ekonomike që janë specifike për Kosovën, duke përfshirë çështjet energjetike dhe mjedisore. Z. Bellier foli për objektivat e AFD-së në rajon dhe për veprime të mëtejshme për adresimin e sfidave specifike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.
Tutje njoftohet se në takim është biseduar për angazhimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e përbashkëta drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
“Në veçanti u bisedua për aktivitetet që janë pjesë e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, kushtuar investimeve strategjike socio-ekonomike në rajon në koordinim me objektivat e Bashkimit Evropian për integrimin e rajonit”.