Stoltenberg thotë se mbrojtja ajrore ukrainase është shkaku “i mundshëm” i shpërthimit në Poloni

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi i së martës në Poloni me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës. Ai tha se po vazhdojnë hetimet për këtë shpërthim dhe se duhet të priten rezultatet e tyre

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg





Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se incidenti në Poloni “ka gjasa” që të jetë shkaktuar nga aktiviteti i sistemeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Megjithatë, sipas tij “Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare ndërsa vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”.

“Analizat tona preliminare sugjerojnë se incidenti me gjasë u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës që u lëshua për ta mbrojtur territorin ukrainas ndaj sulmeve ruse”, është shprehur Stoltenberg.

Po ashtu, Stoltenberg ka thënë se aleatët e NATO-s kanë shprehur “mbështetje të fortë” për aleatin e tyre Poloninë.

Ai shtoi se ka rritur ndjeshëm praninë e saj ushtarake në lindje që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

“Ne vazhdimisht po vlerësojmë se çfarë duhet të bëjmë më shumë”, ka thënë ai.

Stoltenberg shtoi se nuk ka indikacione që Rusia po planifikon sulm ndaj NATO-s dhe se ata duhet të rrinë “vigjilentë, të qetë dhe të koordinuar ngushtë”, pasi që “lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja për territorin e NATO-s”.

I pyetur nëse mund të japë më shumë detaje në lidhje me shpërthimin e raketave në Poloni, Stoltenberg thotë se nuk do të ishte e drejtë të jepte më shumë detaje ndërkohë që një hetim është në vazhdim, duke përsëritur se gjetjet paraprake tregojnë se ka të ngjarë të ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.

Këto deklarata ai i bëri në një konferencë për media pas takimit urgjent të vendeve anëtare, pasi më 15 nëntor dy persona u vranë në Poloni nga një raketë.

Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u tha aleatëve se raketa që vrau dy njerëz në Poloni ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.

Biden organizoi të mërkurën e 16 nëntorit një takim të vendeve anëtare të G7-s dhe partnerëve të NATO-s, ku u diskutua për rënien e raketave në territorin polak një ditë më herët.

“Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka informuar G7-n dhe partnerët e NATO-s se raketa që ra në territorin polak është një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase”, raportoi Reuters, duke cituar burime të NATO-s.

Sipas nenit 4 të traktatit themelues të aleancës, anëtarët mund të ngrenë çdo çështje shqetësuese, veçanërisht lidhur me sigurinë e një vendi anëtar.

Hetimet vazhdojnë për rrethanat rreth një shpërthimi në Przeëodoë, pranë kufirit të Polonisë me Ukrainën që la të vdekur dy persona.





Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika