Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur nga kjo platformë, ku është bërë e ditur se më 12 shtator do të organizohet një Marsh për Liri në Prishtinë, pikërisht katër ditë para verdiktit final ndaj udhëheqësve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai ka thënë se e tërë Kosova po pret.
“Madje edhe jashtë kufijve të Kosovës, krejt shqiptaria po pret, sepse është një udhëkryq shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.”
“Mbas 16 shtatorit, Kosova më nuk do të jetë e njëjtë. Pritja jonë është pritje e gjatë dhe një lloj pritjeje e vazhdueshme, e cila na ka ndejt mbi krye dhe na ka bërë presion padrejtësisht, dhe është një mesazh i asaj që po i pret bijtë e vet aty ku e kanë vendin, aty ku e kanë peshën, aty ku e kanë nis rrugëtimin për liri. Dhe ajo datë është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë, për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen”, ka thënë ai.
Tasholli ka thënë se marshi i thirrur për 12 shtator në Prishtinë pritet të jetë marshi më i madh dhe më masiv i organizuar deri më tani nga kjo platformë.
“Të njëjtin marsh, me të njëjtën moto, do ta kemi edhe në Hagë më datën 16, në vendin ku do të mbahet edhe seanca, dhe për aspekte teknike i kemi largu këto dy data për me qenë edhe fizikisht prezent në organizimin që atje do të jetë”, ka thënë ai.
Tutje, Tasholli është shprehur se platforma “Liria ka Emër” është platformë që i bashkon të gjitha prejardhjet, qoftë politike, kulturore apo gjeografike, dhe se ky duhet të mbetet mesazhi kryesor.
