Haradinaj: Familja Jasharaj i dha emër sakrificës për liri, armiku gjithherë u kthye me turp nga Prekazi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj theksoi se Jasharët i dhanë emër sakrificës për liri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 25-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jasharaj.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rezistenca dhe trimëria e tyre, frymëzoi edhe më shumë shqiptarët për luftë deri në çlirim.

“22 janari 1998, për familjen Jashari të Prekazit nuk ishte ditë e zakonshme. Atë ditë, baci Shaban me tërë familjen i rezistuan sulmeve të armikut, në sulmin e dytë që iu bë kësaj familjeje emblematike të kombit tonë”, shkroi Haradinaj.

Haradinaj theksoi se Jasharët i dhanë emër sakrificës për liri.

“Kjo familje gjithmonë u nda me lavdi, e armiku gjithherë u kthye me turp nga Prekazi”, shtoi ai.

Ndryshe edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e sulmit të dytë të forcave të Serbisë mbi familjen Jasharaj.

Ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar për kronologjinë historike të Prekazit dhe Kosovës.

“Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve të Prekazit, duke kujtuar sulmin e dytë të policisë serbe mbi ta, më 22 janar 1998, në këtë përvjetor të 25-të të tij”, ka shkruar Kurti.

“Në Prekaz të Poshtëm të Drenicës, tri predha hidhen në drejtim të shtëpive të familjes së Shaban Jasharit: një mbi ahër, një në derë dhe një në oborr. Janë të shtëna prej distancës nga njësitet speciale të policisë së Serbisë, që ishin stacionuar prej kohësh në fabrikën e municionit të gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të Shabanit. Duke sulmuar herët në mëngjes, ata kishin menduar t’i zënë në befasi apo të fjetur anëtarët e familjes Jashari, që sapo kishin ngrënë vaktin e syfyrit, që atë ditë të muajit të agjërimit të Ramazanit, lihej në ora 05:17”, shkroi Kurti.

Kreu i qeverisë ka thënë se ky ishte sulmi i dytë i policisë serbe mbi Jasharët e Prekazit, pas sulmit të parë të kryer 6 vite më herët më 30 dhjetor 1991.

Sipas tij, qëllimi ishte të kapeshin a të vriteshin veçanërisht Ademi dhe Hamza, por pa u kursyer familjarët e tjerë, gra dhe fëmijë, e aq më pak shtëpitë dhe pasuria.

Në kronologjinë historike të Prekazit dhe Kosovës, ky ishte sulmi i dytë i Serbisë mbi shtëpinë e kundër familjes së Shaban Jasharit dhe djemve të tij Hamzës e Ademit.

Një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ata u rrethuan siç u rrethua edhe gjithë Prekazi, në sprovën e madhe përballë shumë qindra policëve të Serbisë, ku Jasharët e Prekazit rezistuan duke e kthyer kahjen e historisë në atë rrugë që e solli lirinë e Kosovës.

Shija e redaktorit

Shqipëria hap 4 kapituj të rinj në negociatat me BE...

Shqipëria do të hapë më 16 shtator katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së 6-të...

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Të fundit nga rubrika