Qytetarët e Kosovës nuk po mund të pajisen me dokumente personale, si letërnjoftime, pasaporta dhe patentë shoferë për shkak të mungesës së materialit bazë për prodhimin e tyre, ndonëse në fund të janarit nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), kanë thënë se janë pajisur me një pjesë të materialit bazik për prodhimin e dokumenteve.
Telegrafi gjatë të enjtes, 9 shkurt, ka qenë para objektit të Agjencisë së Regjistrimit Civil (MPB), ku qytetarët shkojnë për të aplikuar apo marr dokumentin përkatës, por që shumica prej tyre që dilnin nga kjo zyrë tregonin se nuk kanë kryer punë, kjo pasi në Agjencinë e Regjistrimit Civil që funksionon në kuadër të MPB-së, nuk ka material bazik për t’i prodhuar këto dokumente.
Qytetari, Zenel Kryeziu kishte ardhur për të shikuar nëse i ka dal ose jo patentë shoferi për nusen e djalit të tij.
Ai ka thënë se ende nuk ka marr ndonjë përgjigje nga zyrtarët pse po i vonohet kaq shumë marrja e këtij dokumenti.
Po ashtu edhe Naim Ramizi, ka ardhur në këtë zyrë për të njëjtën arsye. Ai ka treguar shqetësimin e tij se ende ka mbetur pa patentë shofer.
“Për patentë shofer, thanë nuk ka. Të 15 tetorit sot kanë ardhur 7 copa. Thanë që nuk e dinë se kur mund të vinë. Materiali bazik mungon. Nuk mund të kryej shërbimet e mia ditore. Kerri sot nuk është luks, por nevojë familjare, personale, pune dhe krejt”, ka treguar ai, për Telegrafin.
Një tjetër qytetare ka thënë se nuk arriti të marr letërnjoftimin e babait të saj edhe pse i nevojitet urgjentisht.
“Nuk kreva, kam pas dje letërnjoftimi me procedurë të përshpejtuar. E kam babën në spital por nuk ma kishin kryer, e pritshin një vërtetim. Edhe atje në Shkup administrata pak me ngadalësi. Sot prapë hyri në procedurë e për nesër mëngjes duhet me marr”, është shprehur ajo.
Ndërsa, qytetarja tjetër Hidajete Çunaku sot ka aplikuar për pasaportë, por sipas saj, zyrtarët e Agjencisë për Regjistrim Civili i kanë thënë se për disa muaj nuk mund ta marr.
“Jo, se thanë nuk ka material. Kam ardhur që të aplikojë për pasaportë e thanë s’ka material. Ju thash ‘kam dëgjuar nëpër media që ka material’, e më tha s’ka asgjë zyrtarisht, e më kanë qit jashtë. E pyeta sa duhet me prit, thash një muaj? Jo tha edhe më shumë prej shtatorit nuk ka material. Unë ju thash që kam dëgju nga mediat, më thanë që ke dëgju fjalë të kota se nuk material”, ka deklaruar ajo.
Edhe qytetarja Salije Hyseni ka treguar që zyrtarët e kanë njoftuar se nuk ka material bazik. “S’kemi material, e nëse e ke urgjent duheni të lajmëroheni. Po shyqyr se kemi urgjent, e nuk kish pas kallaballëk”, ka thënë Hyseni.
Ndryshe, Telegrafi ka bërë të ditur se është munduar në vazhdimësi javën e fundit që të marr një përgjigje nga zyra e informimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.
Në fund të muajit janar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), kishin thënë se ishin pajisur me material bazik për prodhimin e dokumenteve personale si pasaporta dhe patentë-shofer.
Këtë e kishte bërë të ditur zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, sipas së cilës ishte thënë se “Ashtu siç kemi premtuar, një pjesë e materialit bazik për prodhimin e dokumenteve personale ka arritur në Kosovë gjatë kësaj jave. Në fillim të muajit shkurt dhe mars do të arrijë pjesa tjetër e materialit, bazuar në kontratë. Gjendja aktualisht është stabilizuar dhe qytetarët janë duke u pajisur me dokumente persona”.
Ndryshe, Kosova ende është duke u përballur me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve që nga muaji tetor i vitit të kaluar.
Ndërsa, më 7 janar, ishte raportuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i kishte dërguar letër zyrtare shtetit të Gjermanisë me lutje që të lejojë udhëtimin e shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara deri në zgjidhjen e situatës.