Në 52-vjetorin e Ditës Botërore të Romëve, kryeministri Kurti i ka uruar 8 prillin komunitetit rom.
“Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim. Prandaj, kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian”, njofton Zyra e Kryeminsitrit.
Kurti ka thënë se kanë themeluar Ekipin Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet, rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë, u është dhënë mundësia për praktikë 6-mujore me pagesë në institucionet qeveritare.

“Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë. Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara. Kemi mbështetur fëmijët, studentët, nënat lehona, pensionistët dhe kategoritë e ndryshme sociale”, thuhet tutje në njoftimin e Kryeministrisë.
Kreu i ekzekutivit ka shtuar se për krijimin e mundësive të barabarta në arsim kanë ndarë 500 bursa në vlerë 300 mijë euro për nxënësit e shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.
“Arsimi i lartë ofrohet pa pagesë për të gjithë studentët. Por, për të mbështetur edukimin, kemi ndarë 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Kështu ata do të mund fokusohen në ngritjen e tyre profesionale dhe akademike, pa pasur barrën e anës financiare. Po ashtu, kemi ndarë 200 mijë euro për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 104 romë, ashkali dhe egjiptianë kanë përfituar trajnim profesional, një rritje domethënëse nga vetëm 34 aq sa ishin në vitin paraprak. Të mërkurën pata kënaqësi të veçantë të marr pjesë në hapjen e minibibliotekës me tituj në gjuhën rome. Shpresoj dhe uroj që kjo dhe bibliotekat tjera të pasurohen edhe më shumë dhe të avancohet sa më shumë gjuha dhe kultura rome”.