Scholz: BE-ja t’i mbajë premtimet për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Në një fjalim para Parlamentit Evropian për të ardhmen e Evropës, Scholz bëri thirrje edhe për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë

Olaf Scholz, kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE.

Në një fjalim para Parlamentit Evropian për të ardhmen e Evropës, Scholz bëri thirrje edhe për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Evropa duhet të hapet edhe ndaj të tjerëve. Vendime kyçe për Evropën ishin ato të vitit të kaluar, kur vendosëm të punojmë për një Evropë të zgjeruar. U kemi thënë vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe Ukrainës, Moldavisë e ndoshta edhe Gjeorgjisë, se e kanë vendin në Evropë“, tha Scholz, shkruan REL.

“Evropa gjeopolitike duhet t’i mbajë premtimet e veta. Premtimet duhet të mbahen ndaj vendeve të Ballkanit, të cilave po u premtojmë anëtarësim tash e 20 vjet. Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojnë reformat për integrim. Duhet të avancohet edhe procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi nuk duhet të jetë i vetmi motiv për reforma, por duhet të kihet parasysh“, tha kancelari gjerman.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë më së shumti përparim në negociatat e anëtarësimit në BE, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur vitin e kaluar këto negociata. Bosnje e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e kaluar.

Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është premtuar qysh në vitin 2003, kur përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, të mbledhur në një samit në Selanik të Greqisë, kanë miratuar një deklaratë të përbashkët për këtë qëllim.

Duke folur në Ditën e Evropës, që shënohet më 9 maj, Scholz tha se “sa më e bashkuar që është Evropa, aq më lehtë do të përballet me sfida”.

“Ne duhet të jemi edhe më të hapur ndaj tjerëve. Na duhet një BE e zgjeruar dhe e reformuar, një BE gjeostrategjike. Rrallëherë kemi qenë më të bashkuar sesa tash në përballje me agresionin e Rusisë [në Ukrainë]”, tha Scholz.

Kancelari gjerman tha, po ashtu, se Bashkimi Evropian po punon për të përmirësuar regjimin e sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ai është në favor të zgjerimit të propozuar të sanksioneve me përfshirjen edhe të kompanive kineze, Scholz tha se qëllimi është përmirësimi i sanksioneve ekzistuese dhe se paketa e ardhshme e sanksioneve nuk do të jetë e fundit.

Shija e redaktorit

Dita e fundit e Panairit të Librit në Tiranë, “Dukagjini”...

Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia Botuese Dukagjini ka rrëmbyer vëmendjen e vizitorëve...

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Të fundit nga rubrika