Mësimdhënësi që tashmë po dyshohet për “Sulm seksual” dhe “Kanosje” në shkollën “Lidhja e Prizrenit” ne Deçan, ka mohuar një gjë të tillë para organeve të sigurisë.
Në procesverbalin që e posedon televizioni i dyshuari V.S ndër të tjera e pranon se është mësimdhënës i viktimës, e pranon se ka qenë në dijeni për moshën e saj, e pranon se e ka përkëdhelur, ja ka vendosur dorën në kokë, e ka afruar afër vetës.
“Kjo përkëdhelje ka zgjatur disa sekonda, e kam afruar te faqja, por nuk ka ndodhur diçka tjetër” kishte deklaruar ndër të tjera ai.
Por sipas prokurorisë kjo deklaratë vjen për ti ikur përgjegjësisë pasi sipas tyre dhe sipas videos që posedon televizioni, një gjë e tillë duket qartë që ka ndodhur.
Nga ana tjetër dëshmitari B.D ka deklaruar se e ka vërejtur profesorin e edukatës fizike duke e puthur nxënësen edhe më parë, e i njëjti e ka kërcënuar me familje.
“Po ashtu ai me datën 08.06.2023 e ka puthur edhe njëherë këtë nxënëse e unë e kam incizuar. Profesori më ka thënë ta shkatërroj edhe familjen” ka deklaruar nxënësi i klasës së nëntë.
Mësimdhënësi pritet të dalë të mërkurën para gjykatës.