Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kidnapimi i tre policëve ka ndodhur në një vend thellë në territorin e Kosovës, që i bie se bëhet fjalë për kidnapim dhe jo arrestim siç theksohet nga propaganda e Serbisë.
“1 km larg kufirit në njërën anë, që i bie të jetë pjesa veriperëndimore, 670m pjesa veriore dhe në pjesën jugperëndimore 300m, në të njëjtën kohë kemi fotografitë e rrugës së prerë në të cilën shihet qartazi se nuk kanë mundur të kalojnë tutje siç pretendon Serbia se kanë shkuar në Serbi dhe janë arrestuar”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se për këtë kidnapim, bëhet fjalë për dy formacione të Serbisë që kanë hyrë, njësia speciale anti-terroriste dhe njësia speciale ushtarake KOBRA janë njësitë që duket se kanë bërë vëzhgim e më pastaj edhe kidnapim.
“Bëhet fjalë për dy formacione të Serbisë që kanë hyrë, njësia speciale anti-terrirosite, SI, njësia speciale ushtarake, KOBRA janë njësitë që duket se kanë bërë vëzhgim e më pastaj edhe kidnapim. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë arrestimi, atë arrestim e ka bërë policia kundër LLune, ndërkaq vetë policët e kanë përjetuar hakmarrjen e Serbisë për këtë arrestim.
Kurti ka thënë se habitet se si ende KFOR-i nuk tregon se ku ishte ky vend kur dje ka qenë në vendin e ngjarjes.
“Në vendin e ngjarjes ka qenë KFOR-i, policia e Kosovës, këpucët gjurmët e policisë dhe KFOR-it, kur lidhëset e tyre të policisë për pranga janë në tteritorin e Kosovës. Me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para juve, KFOR-i nuk del zyrtarisht, të nesërmen e një ngjarjeje që ishte në mesditë, KFOR-i nuk del me një sqarim zyrtar se ku ishte ky vend”, ka vijuar ai.
Shefi i ekzekutivit ka treguar se kjo rruga e prerë është bërë për të ndalur shtigjet e kontrabandës dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të policëve të kufirit për në Serbi.
“Një fotografi tjetër që tregon rrugën e prerë, pretendimet e rrejshme të Serbisë. Në vendin e ngjarjes ka qenë KFOR-i, policia e Kosovës, këpucët gjurmët e policisë dhe KFOR-it, kur lidhëset e tyre të policisë të plastikës për pranga janë në territorin e Kosovës. Edhe automjeti, edhe ushqimi që kanë ngrënë është thellë brenda territorit”, ka theksuar Kurti.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq, “Llune”.