Njëri nga anëtarët e Komisionit të Pavarur të Medias (KPM), Besnik Berisha, ka deklaruar se nuk ka për qëllim t’ua mbyllë gojën mediave. Sikurse mediave, Berisha ka thënë se KPM nuk dëshiron t’ia mbyllë as ligjit.
Në mbledhjen e KPM-së këtë të premte, Berisha ka deklaruar se nuk do t’i pranojnë presionet as nga qeveria e as nga mediat.
“Nuk është ndjenjë e mirë të trajtojmë një rast të tillë…nuk është as e lehtë për ne ta analizojmë dhe të nxjerrim një përfundim. Duhet përmendur se dje sikur u interpretuam se po u mbylllet goja mediave, në realitet ne jemi anëtarë të Komisionit të Pavarur Mediave dhe kemi integritet se së paku tentojmë të kemi integritet dhe nuk dëshirojmë t’ua mbyllim gojën asnjë medie. Përkundrazi, angazhimi ynë është që të ketë një ekosistem në diversitetin medial. Sikur që nuk duam t’ua mbyllim gojën mediave, njëkohësisht nuk duam t’ia mbyllim gojën as ligjit. Për këtë arsye ne nuk i pranojmë presionet prej asnjë pale…interesi i publikut është të jmitë pavarur dhe do ta komentojmë”, ka deklaruar ai.
Tutje, Berisha ka deklaruar se vendimi do të merret dhe bazuar në ligje.
“Vendimin do ta marrim të bazuar, bazohet në informatë. Ne kemi analizuar rastin, kemi një situatë te re, kemi një pezullim të certifikatës. Ne pa marrë instruksione nga askush zbatojmë ligjet’ , ka thënë ai.
Berisha theksoi se është pjesa e transferimit të pronësisë ajo çka KPM-së i intereson.
“Kërkoj që të hapen raste ligjore për të gjitha rastet, jo vetëm për Klan Kosovës. Besoj që gjatë javës së ardhshme mund të na sillni mkë dokumentacion të plotë se cilat media kanë ndërruar pronësi pa njoftimin e KPM-së. Sanksionet janë të parapara nga gjoba deri te revokimi i licencës”, ka deklaruar ai.
Të padrejtë e ka cilësuar mediumi Klan Kosova vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullim të certifikatës së biznesit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se ka inicuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda ndaj mediumit “Klan Kosova”, ndaj zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.