Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me masën e paraburgimit ndaj 30 ditëve për tre zyrtarët policorë të kidnapuar në territorin e Kosovës nga forcat speciale të Serbisë.
Sveçla ka thënë se kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme.
“Fakti që Serbia agresore nuk do të ndalet me orkestrime të akteve të tilla, e dëshmojnë sulmet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veriun e vendit tonë. Në mëngjesin e sotëm bandat kanë sulmuar me shok-bomba stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, është sulmuar një veturë e Policisë së Kosovës, është sulmuar vetura e Ministrit Elbert Krasniqi që ndodhej në vizitë tek Kryetari Lulzim Hetemi, turma e bandave ka kaluar me lehtësi kordonin e sigurisë dhe ka ndërsyrë objektin e Komunës si dhe janë sulmuar e rrahur brutalisht gazetarë e kameramanë të mediave tona”, ka shkruar Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se mungesa e e reagimit ndaj këtyre akteve që “cënojnë sigurinë e institucioneve tona, qytetarëve tanë e mediave tona, u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhërat i marin nga Beogradi”.
Sveçla ka theksuar se Policia e Kosovës nuk do të ndalet dhe do të vazhodjë angazhimin e saj “në çdo cep të Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët pa dallim e kundër të gjitha bandave e kriminelëve pa dallim”.