Diplomimi i kadetëve, Kurti: Forcojmë ushtrinë për ta mbrojtur Kosovën, jo për t’i sulmuar të tjerët

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, në ceremoninë e diplomimit të kadetëve, ka theksuar se qëllimi i forcimit të ushtrisë së Kosovës është për të mbrojtur vendin dhe jo për t'i sulmuar të tjerët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto: Anduena Bajqinovci, RTV Dukagjini

Në një ceremoni solemne të mbajtur të premten për gjeneratën e klasës 2023 të Kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti ka thënë se ceremonia e sotme i kthen prapa në kohë, në vitin 2009, kur u diplomua gjenerata e parë e kësaj qendre studimi, si dhe në vitin 1999, kur u diplomua gjenerata e parë e eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga shkolla ushtarake “Hamëz Jashari”.

Qëllimi i forcimit të ushtrisë së Kosovës, sipas Kurtit, është për të mbrojtur vendin dhe jo për t’i sulmuar të tjerët.

“Ne nuk e forcojmë ushtrinë për t’i sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur vetveten. Për një Kosovë më të sigurt, më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë”, është shprehur Kurti.

Ai ka theksuar se ndër të kaluarat dhe zhvillimet, ushtria e Kosovës vazhdon të modernizohet dhe të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm të edukimit ushtarak.

Kryeministri Kurti ka theksuar se burimet njerëzore janë thelbësore për forcën ushtarake dhe se personeli i trajnuar dhe i edukuar është baza për zhvillimin dhe ndërtimin profesional të sistemit të mbrojtjes.

Ceremonia e diplomimit të kadetëve të FSK-së, foto: Anduena Bajqinocfi, RTV Dukagjini.

“Diplomimi i sotëm nga Qendra për Studime Universitare e Akademisë së FSK-së na jep shpresë për të ardhmen dhe na bën krenarë për të kaluarën. Na kthen prapa në kohë në vitin 2009 të gjenerata e parë e diplomuar në këtë qendër, por na kthen para edhe në vitin 1999, te gjenerata e parë e diplomuar e eprorëve të UCK-së nga shkolla ushtarake ‘Hamëz Jashari’. Nga shkollimi në flakë të luftës nëpër faza të shtetndërtimit, ushtria jonë vazhdon të zhvillohet e të modernizohet. Duke kaluar nëpër etapa tranzicioni, nuk kemi reshtur së ndërtuari sistem të qëndrueshëm të edukimit ushtarak, një hallkë kjo e rëndësishme e zhvillimit të forcës sonë. Burimet njerëzore janë boshti kurrizor i çdo ushtrie e personeli i trajnuar edhe i edukuar është bazë për zhvillim dhe ndërtimin profesional të sistemit të mbrojtjes”, ka deklaruar ai, raporton Dukagjini.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë qeverisjes së tij, tre mijë 325 ushtarë janë trajnuar jashtë vendit, duke shtuar mundësitë për avancim për të gjithë ata që janë pjesë e forcës së sigurisë.

Ceremonia e diplomimit të kadetëve të FSK-së, foto: Anduena Bajqinofci, RTV Dukagjini.

Ai gjithashtu ka bërë me dije se gjatë dy viteve të fundit, janë rekrutuar një mijë e 240 ushtarë të rinj dhe mbi 600 të tjerë janë në proces rekrutimi.

“Bashkë me gjeneratat po shtohen edhe mundësitë për avancim. Gjatë qeverisjes tonë 3 mijë e 325 ushtarakë janë trajnuar jashtë vendit… Sot mundi dhe sakrifica e katër vjetëve po u shpërblehet. Për dy vite janë rekrutuar 1 mijë e 240 ushtarë më shumë, e mbi 600 janë në proces”, ka deklaruar Kurti në fjalimin e tij.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Kurti i ka përgëzuar kadetët për arritjet e tyre dhe ka shprehur se mundi dhe sakrifica e katër viteve të studimit po u shpërblehen sot.

Po ashtu, komandanti i Qendrës për Studime Universitare, Albion Ajvazi, i ka uruar kadetët e diplomuar, duke thënë se për gjatë katër vjetëve të studimeve, ata kanë treguar disiplinë dhe se janë të përkushtuar për sukses.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se në këtë datë kanë diplomuar 15 oficerë të rinj.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika