Politikani nga Vojvodina dhe ish-deputeti në Kuvendin e Serbisë, Nenad Çanak, ka deklaruar se Serbia e ka njohur Kosovën për faktin se i ka njohur targat, pasaportën dhe letërnjoftimet e saj, dhe një konflikt të armatosur në Kosovë nuk e sheh si të mundur në të ardhmen.
Ish-kryetari i Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, njihet për analiza të fuqishme dhe guximin për të kritikuar pushtetin në Serbi.
Në një intervistë për Radio Dukagjinin, ai thotë se Serbia e ka njohur Kosovën, nuk sheh destabilizim të sërishëm në veri dhe se Kosova nuk duhet t’ia ketë drojën Asociacionit.
“Unë për Kosovën nuk brengosem, sidomos pas premrimit të Uashingtonit se do të do të dorëzojë sistemet raketore ‘Javelin’ që në Ukrainë u dëshmuan jashtëzakonisht efikase. Mendoj se aty nuk ka ndonjë rrezik nga konflikti i armatosur, lufta. JO! Mendoj se tash problem kryesor është Bosnje e Hercegovina dhe ndikimi toksik rus në këtë vend”, ka thënë Çanak.
I pyetur nëse perëndimi e ka humbur durimin me Vuçiqin, ai thotë se në Serbi nuk ka opozitë, por vetëm konkurrencë karshi Vuçiqit nga ata që paraqiten si opozitë.
“Unë më parë do të thosha se perëndimi nuk ka zgjedhje, meqë e ashtuquajtura opozitë në Serbi, kur më mirë e shikoni, është vetëm konkurrencë e Vuçiqit dhe jo opozitë. Konkurrencë në kuptimin se ata do të bënin të njëjtën gjë si Vuçiqi, por dëshirojn ata ta bëjnë, jo Vuçiqi. A keni dëgjuar ndonjë qëndrim ndryshe prej Vuçiqit për çështjet jetike nga e ashtuquajtura opozitë”, vijoi ai.
Më tej, Çanak ka thënë se Kosova nuk duhet t’i frikësohet themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Perëndimi në fakt po tenton që të imponojë zgjidhjen e Tirolit të Jugut, derisa në Tirol keni një shoqëri shumë të ndarë, shumë më të ndarë. Mendoj se zgjidhet e tilla nuk janë të mira, por perëndimi, për fat keq, nuk njeh asnjë zgjidhje tjetër. Nuk ka arsye për frikë, meqë mendoj se në momentin kur njerëzit të kthehen në institucione, kur të ulen tensionet dhe të fillohet me qarkullimin normal të njerëzve, mallrave e ideve, atëherë të gjithat dalin në plan të dytë. Këtu duhet pasur kujdes për dekriminalizim të veriut të Kosovës”, ka përfunduar ai.
Në një analizë të situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përqendruar te Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi, Çanak ka vlerësuar se Bosnja është më e rrezikuar nga destabiliteti.
Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pësuar një dështim në përpjekjet e tij për të destabilizuar Kosovën pas sulmeve terroriste në Banjskë, dhe, si pasojë e kësaj, ai ka ndryshuar fokusin e tij dhe tani po përqendrohet në Bosnje si objektivi i radhës për ndërhyrje ose influencë.