Biden i quan “joamerikane” deklaratat e Trumpit për NATO-n

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se deklaratat e ish-presidentit Donald Trump, që e vunë në dyshim përkushtimin amerikan për t’i mbrojtur nga sulmet aleatët e vet në NATO, janë “joamerikane”

Presidenti amerikan, Joe Biden, fajësoi grupet militante të mbështetura nga Irani, për sulmin me dronë në Jordani.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë të martën se deklaratat e ish-presidentit Donald Trump, që e vunë në dyshim përkushtimin amerikan për t’i mbrojtur nga sulmet aleatët e vet në NATO, janë “joamerikane” dhe “të rrezikshme”.

Trump tha të shtunën se dikur kishte paralajmëruar se do ta lejonte Rusinë të bëjë çfarë të dojë me vendet anëtare të NATO-s, të cilat nuk e përmbushin zotimin për t’i shpenzuar 2 për qind të bruto produktit të brendshëm për mbrojtjen.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të martën, Bideni tha se komentet e Trumpit – i cili i prin garës së republikanëve për t’u nominuar për president në zgjedhjet e nëntorit në SHBA – ishin “tronditëse” po ashtu.

“E tërë bota e dëgjoi këtë dhe më e keqja është se ai e ka me gjithë mend”, tha Biden.

Bideni tha se “kur Amerika e jep fjalën, kjo është diçka e rëndësishme”, si dhe tha komentet e Trumpit që e vunë në dyshim përkushtimin e SHBA-së janë “joamerikane”.

“Ai nuk e kupton se përkushtimi i shenjtë që e kemi bërë, është edhe në dobinë tonë”, tha Biden.

Çfarë tha Trumpi për NATO-n?

Si president amerikan nga viti 2017 deri më 2021, Trumpi shpesh i kritikonte NATO-n dhe anëtarët e saj si, Gjermaninë, duke i akuzuar se nuk po paguanin mjaftueshëm për mbrojtjen e vet dhe se po mbështeteshin në Uashingtonin për t’i mbrojtur.

Ai e vuri në dyshim haptazi parimin e mbrojtjes së përbashkët.

Edhe administratat e tjera amerikane i kanë akuzuar evropianët për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje, por me ton më të butë.

Kritikat e Trumpit arritën në një shkallë tjetër gjatë një fushate zgjedhore të shtunën në Karolinën e Jugut, kur ai kujtoi, siç tha, një bisedë me “një president të një vendi të madh”.

“Epo, zotëri, nëse ne nuk paguajmë dhe na sulmon Rusia – a do të na mbroni ju?” Trumpi e citoi liderin anonim të ketë thënë.

“Unë i thashë: ‘Ju nuk keni paguar? Ju jeni fajtor?’ Ndërsa, ai më tha: ‘Po, të themi se ndodhi ajo.’ Jo, unë nuk do t’ju mbroja juve. Në fakt, unë do t’i nxisja ata [Rusinë] të bëjnë çfarë dreqin duan. Ju duhet të paguani”, tha Trump.

Sipas vlerësimeve të NATO-s nga korriku i vitit të kaluar, 11 vende anëtare pritej ta arrinin synimin e 2 përqindëshit më 2023. Ato ishin: Polonia, Shtetet e Bashkuara, Greqia, Estonia, Lituania, Finlanda, Rumania, Hungaria, Letonia, Britani e Madhe dhe Sllovakia.

Gjermania, e cila ka ndër ekonomitë më të mira në Evropë, shpenzoi rreth 1.75 për qind të GDP-së për mbrojtjen. Por, zyrtarët gjermanë kanë thënë se presin se do ta arrijnë cakun prej 2 për qind këtë vit, kryesisht falë një fondi të veçantë prej 1 miliard eurove të themeluar si përgjigje ndaj luftës ruse në Ukrainë.

Vendet që shpenzuan më së paku nga GDP-ja e brendshme ishin: Spanja, Belgjika dhe Luksemburgu, sipas të dhënave të NATO-s./REL

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika