Kosova dhe Serbia do të dalin me propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit

Takimi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfundoi me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t'i dorëzojnë propozimet e tyre

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi (në të djathtë) dhe Petar Petkoviq (në të majtë) dhe Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi (në mes) (Foto nga arkivi)

Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish për diskutimin e opsioneve, tha kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.

Ai dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Ndër temat që u diskutuan ishte rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, me të cilën euroja u bë mjet i vetëm pagese dhe, rrjedhimisht, përdorimi i dinarit serb u ndalua.

Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Duke folur pas takimit, Petkoviq tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse kjo, sipas tij, do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë”.

Petkoviq tha se është gjithashtu e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje, e cila do të mundësonte vazhdimin e funksionimit të bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimorja e Postës.

Ai shtoi se pret që bisedimet të vazhdojnë “në frymë konstruktive” – ndoshta nga fillimi i javës së ardhshme.

Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendetpër të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën se është arritur pajtueshmëri për, siç u shpreh, një pjesë të propozimit amerikan për dinarin, dhe shtoi se “do të ishte ideale” që për këtë çështje të arrihet një marrëveshje gjatë takimit të sotëm në Bruksel.

Javën e kaluar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi ta pezullojë rregulloren e BQK-së, derisa BE-ja, SHBA-ja dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Megjithatë, Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit për pajtueshmëri, duke i cilësuar si “gënjeshtra”.

Serbia këmbëngul se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa për Kosovën ajo është teknike dhe ka të bëjë me integritetin financiar të vendit.

Një takim për të u zhvillua edhe në fund të shkurtit, por pa ndonjë dakordim. Zyrtarët evropianë thanë atëkohë se “shumë pyetje politike” për rregulloren e BQK-së mbeten pa përgjigje./REL

Shija e redaktorit

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Të fundit nga rubrika