Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se është zhvilluar një aksion në veri të vendit, ku ka rezultuar me gjetjen e një arsenali armësh.
Hoxha, në një konferencë të jashtëzakonshme për media së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është duke u intervistuar një person, i cili ka qenë pjesë e vetë Policisë së Kosovës.
Ai ka shtuar se hetimet do të vazhdojnë për të zbuluar grupin terrorist.
“Pas informacioneve të pranuara nga qytetarët dhe nga AKI-ja, ka kryer një operacion në rrethinën e Zveçanit, respsketivisht në afërsi të urës të hekurt, ka pjesa e Rudarës. Dhe, gjatë batisjes, janë gjetur këto sasi armatimesh, pajisje luftarake, antiplumb dhe gjëra të tjera. Të cilat, dyshohen se janë vendosur dhe lënë atje nga grupet kriminale terrorist. Siç tha edhe ministri, me qëllim të sulmit të institucioneve të Kosovës dhe rrezikimit të qytetarëve të kësaj ane. Po ashtu, me qëllim të krijimit të pasiguri dhe një situatë të pazakonshme të sigurisë në këtë pjesë, policia ka arritur ta kryej me sukses operacionin”, ka thënë Hoxha.

Sipas të parit të policisë, janë konfiskuar “1588 municione fishekë, 10 armë të gjata, 62 copë shokbomba 1,5 kg eksplozivë, 4 radiolidhje, 1 shurdhues, 33 karikatorë, 7 maska, 1 gaz maskë, 1 antiplumb, 1 uniformë e ushtrisë serbe, 10 uniforma të policisë së Kosovës”.
Ai tutje ka shtuar se “Policia do t’i vazhdojë hetimet për të zbuluar grupin terrorist, një person është duke u intervistuar, i njëjti ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës”, ka thënë Hoxha nga veriu i vendit.