Serbia i kërkon NATO-s të mos ia avancojë statusin Kosovës

Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asocuar

Delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asocuar.

Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asocuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Ndërkaq, në njoftimin e Parlamentit serb u tha se dhënia e një statusi i tillë do të paraqiste shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Siç thuhet në njoftim, zëvendëskryetarja e delegacionit serb, Natasha Jovanoviq, ia rikujtoi Asamblesë Parlamentare të NATO-s kompeksitetin e çështjes duke pasur për bazë situatën në Kosovë “pasi bëhet fjalë për shkëputje të një anshme të një pjese të territorit, të një shteti të njohur ndërkombëtarisht”. Sipas Jovanoviqit, çështjet territoriale duhet të zgjidhen përmes një marrëveshjeje.

Serbia po ashtu akuzoi Kosovën se po refuzon të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel dhe, sipas Beogradit, 11 vjet pas marrëveshjes së arritur nuk po e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, Prishtina ende nuk ka ndërmarrë hapa që të formojë Asociacionin.

Kosova humbi rastin që në mes të majit të bëhej anëtare e organizatës të Këshillit të Evropës për shkak se Asociacioni u vendos si kusht. Kosova përmes një letre dërguar kësaj organizate tha se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim një draft-statut për Asociacionin, në këmbim të pranimit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se draft-statuti do të frymëzohej nga ai që ka paraqitur organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.

Por, Kosova nuk u fut në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që u mbajt më 16 dhe 17 maj në Strasburg. Megjithatë, Këshilli i Evropës ka thënë se po e shqyrton mënyrën se si të procedojë me rastin e Kosovës./REL

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika