Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, në 25-vjetorin e çlirimit të vendit, ka deklaruar se Kosova edhe tash po përjeton reflektimin euroatlantik.
Ai ka shprehur rëndësinë e lirisë si triumf të testamentit, që tregon se Kosova nuk është e vetme, por ka miq që i kanë qenë në krah në kohët më të vështira.
“Jemi të nderuar me praninë e secilit prej jush, njëzet e pesë vite më parë ne gjetëm lirinë, ajo erdhi si triumf testamenti, erdhi si dritë, si anëtar përjetësie ku shohim vajza e djem, erdhi nëpërmjet zërave të largët që në aso kohe na u bënë të afërt, e ishin mes nesh për të na thënë se nuk ishim e s’jemi vetëm, na vinim përmes liderëve botërorë që në orët më të vështira na u gjenden pranë nesh, andaj ju jemi mirënjohës e falënderues gjithnjë e përherë”, ka deklaruar Abdihiku.
Ai ka folur edhe për veprën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke e përshkruar atë si perëndimor autentik, që zgjodhi fjalën e lirë për të përfaqësuar popullin e Kosovës.
“Sot, pikërisht për shkak të sakrificës së këtyre, unë dhe secili prej jush duhet të kuptojmë detyrimin e lirisë, prandaj kjo konferencë jo vetëm si kujtim nderues, por si skicë e projektimit të së ardhmes, qe na vjen në fjalë të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova: Kosova shtet i pavarur me përkrahës e aleatë. Presidenti, Evropën e konsideronte si bashkësi, e shqiptarët pjesë të tyre, ishte perëndimor autentik, Rugova veproi në një kohë të thyerjeve të mëdha, ai zgjodhi fjalën e lirë”, ne jemi popull perëndimor sikurse Ibrahim Rugova”, ka thënë Abdixhiku.
Në këtë konferencë po marrin pjesë figura të rëndësishme ndërkombëtare si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, dhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier.