Kurti: Po e anuloj pjesëmarrjen e nesërme në Forum të Prespës, i ftoj veteranët për diskutim

Pas vazhdimit të seancës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm që të anulojë pjesëmarrjen e tij në Forumin e Prespës dhe të diskutojë me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së për të gjetur një zgjidhje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nuk ka nevojë që të ndërpritet seanca, pasi ka shumë pika të tjera të rëndësishme që të shqyrtohen, sepse paga minimale nuk është e vetmja pikë e kësaj seance.

“Ajo që po propozoj sot, është të anuloj takimin e nesërm në Forumin e Prespës, ftoj veteranët e luftës për të marrë pjesë në takim me ministrin e Financave, Hekuran Murati, me deputetin Armend Muja, dhe të diskutojmë për këtë çështje”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se është pro dialogut, për të diskutuar me veteranët e luftës.

“Ky dialog nuk është se nuk ka ekzistuar më herët, nuk është takimi i parë, do t’i takoj sërish”, ka shtuar ai.

Sipas Kurtit, veteranët janë në krye të protestës, e jo deputeti Tahiri.

“Jam i interesuar të takoj drejtpërdrejt ata, ky është qëndrimi shumë i saktë i imi”, ka theksuar Kurti.

Shefi i ekzekutivit, ka thënë se Qeveria e Kosovës, me politikat e saj ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuuar në lirinë e popullit.

“Ne mund të dallojmë mbi bindjen tonë për numrin e tyre, por jo për respektin për ta”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, numri i veteranëve është i fryer.

“Është keq të diskutohet një numër i tillë për historinë dhe brezat e ardhshëm”, ka thënë  Kurti.

Ai ka thënë për çështjen e veteranëve, që askush nuk ka nevojë të fryjë numrin.

Sipas tij, nuk është respekt e dinjitet paga minimale që jepet për veteranin, por kjo sipas tij, ka qenë edhe pjesë e Qeverive të Kaluara.

“Nuk është respekt e dinjitet paga minimale për veteranin, pra paga është ajo që jepet për punën që bëhet, në kohën e tashme e të vazhdueshme, andaj ne jemi që veteranët e UÇK-së të kenë kompensim e mirënjohje më shumë se paga minimale”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Sipas tij, të hënën ka qenë seanca kur është diskutuar paga minimale, e nuk është në rregull që sot të ndërpritet seanca për shkak se nuk është në rend dite paga minimale.

“Prandaj po them që duhet të vazhdojë kjo seancë e unë po takohem para se të vijë në lexim të dytë”, ka shtuar Kurti.

Për këtë ka replikuar deputeti Abelard Tahiri në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, duke thënë se këta njerëz duhet të respektohen dhe të ftohen sot në takim.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri

“E di që sot nuk mund të arrihet marrëveshja, por sot duhet të fillojë një dialog në mes këtyre palëve”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se edhe çështja e Trustit është një agjendë e rëndësishme, sipas të cilit do të diskutohet pavarësisht zvarritjeve të Qeverisë.

“Edhe atë do ta diskutojmë, pavarësisht zvarritjeve që na keni bërë tash e një muaj”, ka shtuar Tahiri.

Sipas tij, UÇK nuk duhet të injorohet në këtë betejë politike.

“Mos i injoroni dhe mos i përbuzni kaq shumë. Nuk e meritojnë të jenë në mes të në një betejë politike të tillë veteranët e UÇK-së”, ka thënë Tahiri drejtuar Kurtit.

Fillon seanca e Kuvendit, Tahiri kërkon ndërprerjen e saj

Shija e redaktorit

Mes familjes dhe ushtrisë – Historitë e fëmijëve amerikanë që...

Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i NATO-s, përtej historisë në këtë hapësirë, shënojnë edhe një destinacion ku siguria dhe bashkëpunimi...

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit...

Rreth 130 përfaqësues të 90 shteteve të ndryshme të botës do të qëndrojnë për disa ditë në Pejë. Kjo për shkak se Federata e Bjeshkatarisë...

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare...

Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës (FBNSK) shënon një moment historik duke pritur për herë të parë në Kosovë Asamblenë e Përgjithshme...

Të fundit nga rubrika