I dërguar special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pranuar se Samiti BE-Ballkan Perëndimor i ka zhgënjyer sërish vendet e këtij rajoni për shkak të mungesës së marrjes së vendimeve për proceset që ishin duke pritur.
Ai përmes një postimi në Twitter, ka thënë se u morën vendime për Evropën Lindore, por jo edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne morëm një vendim gjeopolitik për Evropën Lindore, por nuk mund të kemi të njëjtin këndvështrim strategjik për Ballkanin Perëndimor. Kjo gjeneron zhgënjim të thellë në rajon. Jam krenar për udhëheqjen tonë evropiane në Lindje, por ne duhet ta rifitojmë atë për fqinjët tanë juglindorë”, ka shkruar Lajçak.
We took a geopolitical decision on Eastern Europe, but we fail to have the same strategic view on the Western Balkans. This generates deep disappointment in the region. I’m proud on our 🇪🇺 leadership in the East, but we must regain it for our South-Eastern neighbors – @ #EFW22 pic.twitter.com/kD8QXF7jIK
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) June 24, 2022
Ndryshe, të enjten e 23 qershorit, Këshilli Evropian i ka aprovuar konkluzionet zyrtare për Ballkanin Perëndimor.
Ky lajm u bë i ditur nga zëdhënësi i Presidentit të Këshillit Evropian, Barend Leyt, i cili i ka renditur konkluzionet e miratuara, ku në njërën prej tyre përmendet edhe Kosova.
“Këshilli Evropian ripohon urgjencën e arritjes së përparimit të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht në Dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, shkruhet në pikën e 19-të.
Në këto konkluzione nuk përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën, ani pse në pikën e parë thuhet se Bashkimi Evropian shpreh angazhimin e tij të plotë dhe të qartë për perspektiven e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ndërsa, edhe në konferencën e sotme, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për heqjen e vizave për Kosovën.
Kosova në këtë konferencë u përmend vetëm nga presidenti i Këshillit Evropian, Michel, në kontekstin e përkrahjes së dialogut Prishtinë-Beograd.
Hapësirën më të madhe në konferencën për gazetarë e pati Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia, për dhënien e statusit të vendeve kandidate të BE-së.
“Ne përkrahim konkluzionet nga Përfaqësuesi i Lartë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë ai kur foli për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në samit, kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke kërkuar që BE-ja t’i hapë dyert për Kosovën.