Policia e Kosovës ka arrestuar një person në pikën kufitare në Jarinjë, pasi dyshohet se tentoi t’u japë ryshfet zyrtarëve policor për të lejuar hyrjen e paligjshme të bashkëshortes së tij në Kosovë.
Sipas njoftimit të Policisë, veprimet e shpejta janë ndërmarrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësia Rajonale në Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me Stacionin Policor Kufitar në Jarinjë.
Pas informacioneve operative, i dyshuari është kapur në flagrancë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti penal për veprën “Dhënia e Ryshfetit”, sipas nenit 422 të Kodit Penal të Kosovës.
Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, përfshirë sekuestrimin e provave dhe intervistimin e të dyshuarit në praninë e avokatit mbrojtës.
Prokurori ka vendosur që i dyshuari të mbahet në ndalim për 48 orë, deri në vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore.