Procesi i numërimit të votave pas zgjedhjeve në Shqipëri po shkon drejt përfundimit. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orët e fundit janë numëruar 5,215 nga gjithsej 5,225 qendra votimi në të gjithë vendin.
Në bazë të rezultateve preliminare, Partia Socialiste e Edi Ramës mban një avantazh të dukshëm me 52.15% të votave, ndërsa në vendin e dytë renditet Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore me 34.26%.
Vlen të theksohet se këto rezultate nuk përfshijnë ende votat nga diaspora, të cilat janë në proces të vazhdueshëm numërimi.
Ndërkohë, në disa qarqe si Berati, Dibra, Korça, Kukësi, Vlora, Lezha dhe Tirana, numërimi i të gjitha kutive të votimit është përmbyllur tashmë.
KQZ pritet që në ditët në vijim të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
