Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë në detyrë për të dyfishuar përfitimet mujore për lehonat një vendim që kap vlerën prej 10 milionë eurosh.
Cakolli ka thënë se mbështetja për lehonat është e drejtë dhe e nevojshme, por sipas tij, ky vendim është në kundërshtim me ligjin.
“Ligji parashikon që një qeveri në dorëheqje të kufizohet në ushtrimin e funksioneve teknike, të paraplanifikuara dhe brenda buxhetit vjetor e Planit të Punës të miratuar më parë”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka theksuar se ky vendim nuk është as i planifikuar e as i justifikuar nga ndonjë situatë emergjente, por përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në politikat sociale dhe fiskale, çka tejkalon kompetencat e një qeverie kalimtare.
“Përmes këtij akti, Qeveria ka kaluar nga roli i administrimit të përkohshëm institucional në pozitë politikëbërëse – pa mandat, pa kontroll parlamentar dhe jashtë çdo logjike demokratike”, ka shtuar ai.
Sipas Cakollit, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk duhet të interpretohet vetëm në mënyrë tekstuale, por në përputhje me logjikën kushtetuese të kufizimit të pushtetit në periudha pa mandat.
Ai ka potencuar duke thënë se vendimmarrjet e tilla duhet t’i takojnë vetëm një shumice të re legjitime dhe të dalë nga zgjedhjet.