Komuna e Podujevës organizon sot, më 19 qershor, një sërë aktivitetesh për të shënuar Ditën e Çlirimit të qytetit.
Aktivitetet nisin në orën 09:00 me vendosjen e gurthemelit të pishinës gjysmëolimpike në qytet, pranë urgjencës së re.
Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, kryetari i Komunës Shpejtim Bulliqi, ministri në detyrë i Kulturës Hajrulla Çeku, si dhe deputetë e zyrtarë të tjerë.
Në orën 10:00 do të bëhen homazhe në “Kompleksin Memorial të Dëshmorëve” në fshatin Penuhë, ndërsa në orën 13:00 është paraparë një lëvizje me biçikleta.
Pasditja vazhdon me seancën solemne të Kuvendit Komunal dhe nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit me qytetin AIMES të shtetit IOWA në SHBA, që do të mbahet në orën 16:00.
Në orën 17:30, në stadiumin e Llapit, do të zhvillohet një ndeshje miqësore në futboll ndërmjet veteranëve të Llapit dhe atyre të Reprezentacionit të Kosovës.
Aktivitetet përmbyllen në ora 19:30 me zbulimin e shkronjave të UÇK-së në Shtedim.