KEK: Njësia A3 në funksion, B1 pritet të rikthehet brenda 48 orëve

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka bërë të ditur se operimi i njësive të saj prodhuese në Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” vazhdon normalisht, pa ndonjë kolaps në prodhim.

Në një njoftim për opinionin publik, KEK thekson se njësitë janë të stërvjetruara dhe shpesh përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi.

Njësia A3 është rikthyer në operim dhe funksionon normalisht. Ndërkaq, njësia B1 pritet të rikthehet brenda 48 orëve.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) dëshiron të sigurojë opinionin publik se operimi i njësive tona prodhuese vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë kolaps prodhimi.

Njësitë e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi. Megjithatë, ekipet tona teknike janë në gatishmëri të plotë dhe reagojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të menjëhershëm për çdo situatë.

Njësia A3 është rikthyer në operim dhe po funksionon normalisht. Njësia B1 parashihet të rikthehet brenda 48 orëve, ndërkohë që po punohet maksimalisht për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të Termocentralit “Kosova A” në ditët në vijim.

Edhe pse dje nuk është bërë nominimi për furnizim me energji, kjo është pasojë e pasigurisë së lartë teknike dhe kushteve që e bënin rikthimin e njësisë A3 pothuajse të pamundur. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe të pandërprerë të stafit teknik, kjo njësia është rikthyer sot në operim dhe është në prodhim të rregullt.

Njësia B1 nuk është nominuar për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik. Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi.

KEK sh.a. është duke angazhuar të gjitha kapacitetet për sanimin e situatës dhe rikthimin e njësisë B1 në operim brenda afatit të parashikuar prej 48 orësh, në varësi të shkallës së dëmtimeve të gypave që duhet të zëvendësohen në kaldajë.

KEK mbetet e përkushtuar ndaj misionit për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji për vendin dhe do të vazhdojë të informojë me transparencë për çdo zhvillim relevant në operimin e njësive prodhuese”, thuhet në njoftimin e KEK-u.

Shija e redaktorit

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Shqipëria hap 4 kapituj të rinj në negociatat me BE...

Shqipëria do të hapë më 16 shtator katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së 6-të...

Të fundit nga rubrika