Veton Berisha, deputeti i Kosovës, përmes një postimi ka thënë se gjatë ditës së djeshme ai është sulmuar, kanosur dhe ofenduar Fazli Stollaj, i cili është anëtar i anëtar i kryesisë së IRDK-së parti kjo e drejtuar nga Elbert Krasniqi, ministër në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Berisha, ka shkruar edhe se kjo ka ndodhur në objektin e Qeverisë së Kosovës pas fjalimit të tij drejtuar në takimin e organizuar nga zyra e kryeministrit për çështje të komuniteteve me rastin e shënimit të “24 Qershorit” ditës memoriale të komunitetit Egjiptian.
Ai ka njoftuar edhe se e ka denoncuar Stollajn në Policinë e Kosovës.
Sipas Berishës, kjo ka ndodhur për shkak se gjatë fjalimit të tij në një takim me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për nder të “24 Qershorit”, ditës nacionale të komunitetit Egjiptian të Kosovës, ka përmendur mungesën e emblemës së komunitetit egjiptian. Berisha thotë se autorë i kësaj embleme është Stollaj.
“Kjo ngjarje ka ndodhur si pasojë e mos-durimit të fjalimit tim, i cili ishte drejtuar dje në këtë takim që u mbajt me prezencë të kryeministrit. Unë kam përmendur mungesën e emblemës së komunitetit egjiptian, e cila ka qenë në mungesë në takimin që kishim dhe normalisht kam cituar autorin – Fazli Stollaj”- ka deklaruar Berisha.
“Duke mos dashur të identifikohet me këtë emblemë dhe me identitetin egjiptian, si duket z.Stollaj i pengoi që unë e prezentova emblemën dhe përmenda se është autor dhe menjëherë pas takimit më del në rrugë, kërkon të ballafaqohet me mu dhe kërkon të mos ia përmend emrin më. Unë i kam thënë që do e përmendi sepse është autor dhe ai më ka thënë se ‘me ty do t’i qëroj hesapet ndryshe dhe do merremi vesh ndryshe’. Me ka kanosur, më ka ofenduar dhe më ka shtyrë që për mua është sulm fizik”-shtoi ai.
Më tej, Berisha thot se ka pritur nga kryetari i IRDK-së, Elbert Krasniqi dhe nga Stollaj që të kërkojnë falje, por që siç tha ai, kjo nuk ka ndodhur.
“Kam pritur nga kryetari Elbert Krasniqi që sot të reflektojë dhe të kërkojë falje, edhe Fazli Stollaj, por këtë nuk e kanë bërë këtë. Duke i ditë të drejtat e mia, unë sot kam ushtruar kallëzim penal apo kam denoncuar në Policinë e Kosovës z.Stollaj dhe këtë do ta bëjë gjithmonë për secilin person i cili më pengon në punën time”- është shprehur Berisha.
Në lidhje me këtë rast, Kallxo.com ka kontaktuar për të marrë një qëndrim, ministrin në detyrë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, njëherit kryetar i IRDK-së, Elbert Krasniqi, por deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur.