Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i bëri thirrje Iranit që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, duke shtuar se stabiliteti në Lindjen e Mesme mbetet prioritet.
“Programi bërthamor i Iranit paraqet kërcënim të madh për sigurinë ndërkombëtare. Irani nuk duhet të lejohet kurrë që të zhvillojë armë bërthamore dhe SHBA-ja ka ndërmarrë veprime për ta minimizuar këtë kërcënim”, tha Starmer, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e tij.
Ndryshe, SHBA-ja ka sulmuar tri objekte bërthamore në Iran. Janë sulmuar objektet Fordow, Natanz dhe Esfahan.
Presidenti amerikan Donald Trump, në një adresim publik, e ka quajtur këtë sulm si “sukses të madh ushtarak”.
“Sot, mund t’i raportojë botës se sulmet ishin sukses spektakular ushtarak. Objektet kyçe të pasurimit nuklear janë shkatërruar tërësisht”, tha Trump, në paraqitjen e tij të parë publike pas sulmit.
Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë sulme ndaj objekteve tjera nëse Irani nuk bën paqe.
“Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, tash duhet të bëjë paqe. Nëse nuk bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta. Kjo mund të vazhdojë. Ose do të ketë paqe, ose do të ketë tragjedi për Iranin. Një tragjedi shumë më e madhe se që kemi parë tetë ditëve të fundit. Mos harroni, kanë mbetur shumë objektiva”, tha Trump.
Trump tha se mund të sulmohen objektivat tjera me saktësi, shpejtësi dhe aftësi dhe atë brenda pak minutash.
E në “Truth Social”, Trump tha se Irani do të përballet me hakmarrje të madhe nëse vendos të përgjigjet me forcë.
Para se të mbante adresimin publik, Trump kishte njoftuar në “Truth Social” për sulmin.
“E kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tri objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordoë, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tani ndodhen jashtë hapësirës ajrore iraniane”, shkroi Trump.
Në sulm raportohet se u përdorën aeroplanit B-2, nga të cilët u hodhën gjashtë bomba GBU-57, të njohura si shkatërruese të bunkerëve, e po ashtu nga nëndetëset u lansuan 30 “Tomahawks”, transmetoi “Fox News”.
Agjencia Botërore për Energji Atomike ka thënë se aktualisht nuk ka rritje të nivelit të rrezatimit jashtë tri objekteve që janë goditur nga SHBA-ja.